Numri i të plagosurve si pasojë e ndërhyrjes së policisë izraelite ndaj palestinezëve në Mesxhid al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar është rritur në 305, ndërkohë që raportohet se policia po tërhiqet, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas një deklarate të Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze, 228 të plagosur janë dërguar në spitale për trajtim, përfshirë shtatë në gjendje të rëndë.
Ndërkohë, siç bëhet e ditur, pas katër orësh intervenim me gaz lotsjellës, plumba plastikë dhe granata zhurmuese që nga orët e hershme, policia izraelite po tërhiqet nga Mesxhid Al-Aksa.
Portat e oborrit të kompleksit të shenjtë janë rihapur pas tërheqjes së policisë.
Shumë palestinezë që gjendeshin dhe hynë në oborrin e Aksasë thirrën tekbire dhe slogane.
Mijëra palestinezë të cilët e falën namazin e sabahut në Mesxhid Al-Aksa, më pas organizuan një demonstratë në oborrin e faltores, duke thirrur tekbire.
Pas demonstratës, palestinezët filluan të qëndrojnë në kompleks për ta mbrojtur atë nga bastisjet e hebrenjve fanatikë.
Ndërkaq, më pas, policia izraelite, duke bastisur Al-Aksanë, intervenoi ndaj palestinezëve me gaz lotsjellës dhe plumba plastikë.
Hebrenjtë fanatikë festojnë “ditën e Kudsit” sipas kalendarit hebre, për të përkujtuar përvjetorin e Luftës së Gjashtëditore kur Izraeli në vitin 1967 okupoi Kudsin Lindor.
Organizatat fanatike hebreje, me rastin e “ditës së Kudsit” që këtë vit përkon me datat 9-10 maj, kishin bërë thirrje për bastisje në Mesxhid Al-Aksa.



