Një grua është dërguar e vdekur në spitalin e Elbasanit, ndërsa bashkëshorti i saj ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore pas një vizite në llixha.
Pronari i këtyre banjave termale, pretendon se e ka mbyllur ambientin më 1 dhjetor dhe se nuk ka dijeni se kush mund të jetë viktima dhe as për shkaqet e vdekjes së saj.
Uniformat blu tashmë kanë nisur hetimet për të zbuluar shkaqet e vdekjes, si dhe për të identifikuar viktimën.
Policia bën me dije se, “rreth orës 03:30, në Spitalin e Elbasanit është dërguar e vdekur shtetasja E. I., 60 vjeç, banuese në Plloshan Kosovë, si dhe në gjendje të rëndë shëndetësore bashkëshorti i saj, shtetasi J. I., 70 vjeç, të cilët kishin ardhur për të bërë banja termale në Llixha Tregan Elbasan dhe ishin akomoduar në hotelin e shtetasit N.K.”.
Nga kqyrja e kryer nga mjeku ligjor nuk janë konstatuar shenja dhune. Grupi hetimor po heton për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.



