Shoku ynë “pushteti”

Nga Evans Drishti

S’është rastësi sot, në këto kohë që po jetojmë, e aq më tepër edhe në këto pragzgjedhjesh që të përballesh në rrugë me ndonjë individ, i veshur në mënyrë të hijshme, plot fisnikëri për nga paraqitja, me një kostum shoqëruar me një krevatë të kuqe, i krehur e i rregulluar sa s’ka ku të shkojë më, me një palë këpucë të lyera me një shkëlqim verbues, që ec krahëhapur dhe mëndjendritur rrugëve të qytetit, teksa ndalon njerëzit rrugës për t’i folur për “risitë” që priten të vijnë “së shpejti”…

S’është rastësi të shohësh të rinj të veshur me xhinse “të shqyera”, e sa për kujtesë dikur e një kohë, të shihje një palë pantallone të shqyera, vraponin nënat tona ti qepnin mënjëherë, pasi s’mund të dilje dot përjashta në atë mënyrë, sepse kuptohej si “e turpshme”, e ndërkohë e anasjellta ndodh sot, kur të rinjtë shpenzojë pse jo edhe “qimet e kokës” për ti patur dhe për të bërë xhiron e ditës… Të rinj që i karakterizon një ecje “heroike” e shoqëruar me një “kryelartësi” dhe “mëndjemadhësi” si të ketë zotëruar në pëllëmbë të dorës “një pushtet” të shumëkërkuar…

S’është e rastësi sot të shohësh nxënës që reflektojnë sjellje “joetike” gjatë komunikimit jo thjeshtë me bashkëmoshatarët e tyre, por edhe me mësimdhënësit, madje edhe drejtuesit, teksa në paraqitje të parë me ta, i sheh me një qëndrim “joshës” me duar në xhepa, me një çantë, që në të shumtën e rasteve s’peshon më shumë se pesha e një fletoreje, me flokë të llakosura si për të tërhequr vëmëndje e shumëpritur dhe për t’u bërë disi “dominues” në syrin e bashkëfolësit…

S’është rastësi të shohësh njerëz të ndryshëm nëpër kafene, të ulur në pozicione të modeleve “kauboj” me krahët hapur në anësore të ndjenjëseve, këmbë përmbi këmbë, madje të vendosura në pozicione tejet qesharake deri edhe në ofenduese për tjetrin i ulur pranë tij apo përballë, me shpatulla të ngritura dhe kraharor të nxjerrë përjashta si me detyrim për të të dhënë përshtypjen e një individi “interesant” dhe “shumëaspirues” që me të folurën e tij papushim duket sikur shpraz përpara teje një bagazh “të çmuar” dijesh dhe parimesh që rrokullisen në një boshllëk të ithët…

S’është rastësi të shohësh në rrugë prindër të rinj që në emër të një “edukimi” përdorin “totalitarizmin “ si një metodë efikase për ta vënë nën “pushtetin prindëror” fëminë e tyre duke shfaqur kështu një mungesë të theksuar të metodikës prindërore që kërkon domosdoshmërisht zbritjen deri në moshën fëmijërore…

S’është rastësi të dëgjosh “të folura” dhe “biseda” mes njerëzish si të shtëna armësh që të thumbojnë deri në pickim me tingujt e vrazhdë që jehojnë aty – këtu në përpjekje për të qenë sa më të kuptueshëm për “tjetrin” bashkëbisedues, që në të vërtetë qëndron shumë pranë tij, edhe pse në kohë epidemie…

S’është rastësi të dëgjosh “kumbime zërash” nga njëri cep i rrugës në tjetrin si një mënyrë komunikimi, që natyrshëm të sjell ndër mëndje modelin e hershëm të kominikimit, ku malësorët dilnin në majë të malit dhe thërrisnin me zë të lartë për të tejçuar “mesazhin e radhës” pjesës tjetër të banorëve që jetonin përtej, dhe kjo natyrshëm realizohej kështu në mungesë të theksuar të mjeteve të komunikimit, e ndërsa sot, edhe pse me kaq shumë alternativa të volitshme për një “komunikim” sa më të shëndetshëm, njerëzit sërish “çirren” për të kapërcyer “hendeqet” apo “barrierat” e padukshme…

Seç ka njeriu i sotëm një dëshirë të zjarrtë “për të rrokur” një “pushtet” që në të shumtën e rasteve as që i përket dhe as që i takon!

Pushteti i fjalës, pushteti i duarve, pushteti i syrit, pushteti i veshëve, pushteti i nuhatjes, pushteti i këmbëve, pushteti i gjykimit dhe i mendimit, pushteti i qëndrimit, pushteti i heshtjes … Të marra në tërësi njeriu në pamje të parë shfaqet “i gjithpushtetshëm” në përpjekje për të treguar një epërsi si një alternativë në dukje më e mirë për tjetrin.

Flasim pa fund në emër të pushtetit të fjalës, në të shumtën e rasteve pa kontrolluar “frazat” që shpërthejnë nga goja që mund të jenë lënduese dhe vrastare për tjetrin…

Lëvizim pa fund me duar në emër të pushtetit mbizotërues për “gjuhën e trupit”, ku si pa kuptuar sjell edhe “gjuhën e turpit”, me idenë dhe qëllimin e zjarrtë për ta lehtësuar sa më shumë raportin me tjetrin…

Shohim pa fund në emër të pushtetit të të parit, pa marrë në konsideratë se lëndojmë apo keqkuptohemi nga tjetri, pa marrë në konsideratë se sytë tanë mund të jenë edhe “gjynahbërës”…

Dëgjojmë pa fund në emër të pushtetit dhe etjes për të marrë sa më shumë informacione, të rëndësishme apo jo, të vlefshme apo jo, mjafton të mbushim kutinë tonë postare të memories se mos një ditë tregohemi “shumëdimensionalë”…

Nuhasim pa fund në emër të pushtetit për të marrë aroma të këndshme duke mos kuptuar pasojat negative që mund të na shoqërojnë me kohën…

Ecim pa fund në emër të pushtetit “impenjativ” edhe pse në të shumtën e rasteve ecjet dhe lëvizjet e panevojshme mund të sjellin shqetësime në ambiente të ndryshme…

Gjykojmë dhe mendojmë pa fund në emër të pushtetit të të menduarit, por pa e ditur në të shumtën e rasteve se ajo që mendojmë gjykohet si e drejtë apo si shtysë për keqkuptime…

Qëndrojmë pa fund në emër të pushtetit të qëndrimit, si të ishim zotërues të natyrshëm të vendit ku ndodhemi për një çast, pa menduar se koha që po shpenzohet “vritet” si me dashakeqësi…

Heshtim pa fund në emër të pushtetit që na bën të fitojmë të drejtën e heshtjes, në të shumtën e rasteve shoqëruar me ndjesinë e një hezitimi të pakuptimtë apo edhe në mbulim të një fajësimi jetik…

Përqafoje o njeri “pushtetin” tënd të mendjes dhe të shpirtit, që të unifikohesh në përcaktimin e të drejtës dhe të vlefshmes për të ndërtuar një identitet të qëndrueshëm mbi themelet e një karakteri të vyer plot urtësi!

Përqafojeni ju të rinj këtë pushtet të unifikuar që të kuptoni edhe njëherë se përpara “të drejtave” vjen “detyrimi” dhe “obligimi” që keni për të shfaqur para tjetrit respektin e domosdoshëm si çelësin e një komunikimi të shëndetshëm!

Përqafoje o njeri këtë pushtet të unifikuar që të kuptosh më së miri hapat që hedh në përditshmërinë tënde për të qenë një bashkëshort model, një prind mbështetës dhe inspirues, një mik i ngushtë që të gjëndet pranë në momentet më të vështira pa asnjë interes, një koleg sakrifikues dhe dashamirës, një qytetar që di të ofrojë shërbime të denja mbi vlera njerëzore, e mbi të gjitha një “pushtetar” që me mendje dhe me shpirt nuk është te “pushteti”, por te shërbesa që kërkon të ofrojë për rimëkëmbjen dhe ripërtëritjen e vlerave njerëzore dhe kulturore që na bëjnë të quhemi “qenie njerëzore”.
“LEXO!” o njeri që të kuptosh se kush është shoku yt i vërtetë!