“Shpejtësia e madhe dhe defekti në frena, shkaqet kryesore të aksidentit në Llaskarcë”

"Shpejtësia e madhe e drejtimit të autobusit dhe pamundësia për të frenuar për t’iu shmangur aksidentit fatal si dhe defekti në frena janë arsyet për aksidentin e autobusit në Llaskarcë", tha Prokuroria Publike

Shpejtësia e madhe e drejtimit të autobusit dhe pamundësia për të frenuar për t’iu shmangur aksidentit fatal si dhe defekti në frena janë arsyet për aksidentin e autobusit në Llaskarcë, njoftoi Prokuroria Themelore Publike, raporton Anadolu Agency (AA).

Në ambientet e Prokurorisë Publike të Republikës së Maqedonisë së Veriut, prokurori Sasho Rajçev mbajti konferencë për media ku paraqiti informacionet mbi procedurën në lidhje me aksidentin e autobusit në afërsi të fshatit Llaskarcë, në autostradën Shkup-Tetovë që ndodhi më 13 shkurt të këtij viti, dhe në të cilin humbën jetën 15 persona dhe 39 të tjerë u plagosën.

Duke theksuar se arsyeja kryesore e aksidentit ishte shpejtësa e madhe e lëvizjes së autobusit dhe jofunksionaliteti i plotë i frenave, prokurori Rajçev njoftoi se 7 persona janë arrestuar dhe janë në stacionin policor në Shkup, dhe se të njëjtit gjatë ditës së sotme do të nxirren para gjyqtarit të procedurës paraprake.

Rajçev tha se hetimi ishte zbatuar ndaj gjashtë të pandehurve.

“Hetimi përfshinë 6 persona. Ndaj pronarit dhe menaxherit të subjektit juridik dhe udhëheqës në këtë subjekt juridik, për shkak se vetëm pronari ka poseduar certifikatë të detyrueshme për kompetencë profesionale në komunikacion, në bazë të këtij certifikati është lëshuar licenca për transport, duke mos respektuar detyrimet e tij në përputhje me dispozitat ligjore, nuk e ka organziaur transportin në përputhje me dispozitat ligjore në fjalë. Për më tepër, ia ka besuar menaxhimin e parkut vozitës të dyshuarit të dytë, menaxherit, përkundër faktit se ai nuk posedonte licencën e duhur”, tha Rajçev.

Ai shtoi se pronari dhe menaxheri i subjektit juridik nuk janë kujdesur për rregullsinë e takografit.

“I dyshuari i dytë, menaxher i i subjektit juridik, ka lejuar instalimin e një pajisje në autobus e cila ka mundësuar manipulimin e takografit dhe nuk ka regjistruar rregullisht shpejtësinë e autobusit. Këto dy të dyshuar ishin të njohur se gjatë kontrollit teknik se nuk ishte plotësisht në rregull sistemi i frenimit, por se kanë lejuar që çdo ditë autobusi të transporton udhëtarë”, ka thënë Rajçev.

Sipas tij, i dyshuari i tretë, i katërt dhe i pestë janë punonjësit përgjegjës për mirëmbajtjen teknike të autobusit, për siç tha, personi përgjegjës është menaxheri ose i dyshuari i parë.

Ai shpjegoi se edhe pse ishte kryer kontroll teknik i autobusit dhe ishin regjistruar defekte të caktuara në sistemin e frenave, të dyshuarit kanë lëshuar dokumentacion se autobusi është në rregull. Rajçev tha se në ditën e aksidentit, 13.02.2019, shoferi ka drejtuar autobusin duke tejkaluar shpejtësinë me 99 kilometra në orë ndërsa kufizimi i shpejtësisë ishte 80 kilometra në orë.

Prokuroria njoftoi se të dyshuarit janë akuzuar për krime të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në trafik dhe personi i shtatë për punë të pakujdesshme në detyrë.

“Për personat për të cilët është hapur procedurë hetimore, prokuroria do të propozojë masën e paraburgimit ndërsa për personin e shtatë do të propozojë masën e mbikëqyrjes”, tha prokurori publik Rajçev.