Shqetësim për pushtimin e Ukrainës, Putin bisedë online me Biden

Një sërë çështjesh pritet të jenë pikat kyçe të takimit online mes presidentit amerikan Joe Biden dhe homologut rus Vladimir Putin.

Mes tyre janë siguria kibernetika dhe programi bërthamor i Iranit, por shqetësim kryesor mbetet situata në Ukrainë.

Zyrtarët e inteligjencës amerikane pretendojnë se Rusia ka zhvendosur 70 mijë trupa ushtarakë në kufi me Ukrainën. Ata shprehen se Moska po planifikon që gjatë vitit të ardhshëm të nisë pushtimin e pjesës lindore të Ukrainës.

Kremlini tha javën e kaluar se Putini do të kërkonte garanci detyruese nga Biden që të përjashtonin zgjerimin e NATO-s në Ukrainë.

Zyrtarët amerikanë thuhet se po konsiderojnë të ndërmarrin më shumë sanksione kundër Rusisë duke theksuar se çdo pushtim i Ukrainës do të kishte pasoja.

Ushtria e Ukrainës duket se është në gatishmëri. Presidenti Volodymyr Zelensky u bashkua me trupat e tij në kufi, ndërsa forcat të armatosura festuan 30-vjetorin e krijimit, pasi fituan pavarësinë nga Rusia në 1991.