Shqipëri, niset drejt Turqisë grupi i shtetasve turq të bllokuar për shkak të COVID-19

Në këtë fluturim me avionin e kompanisë Air Albania janë gjithsej 124 persona të moshave të ndryshme, 80 prej të cilëve ishin me qëndrim të përkohshëm në Malin e Zi dhe pjesa tjetër e shtetasve me qëndrim në Shqipëri

Nën kujdesin e Ambasadës së Turqisë në Tiranë, nga Shqipëria është nisur drejt Turqisë një grup tjetër i shtetasve turq, që u bllokuan për shkak të masave kundër pandemisë COVID-19, raporton Anadolu Agency (AA).

Gjatë përcjelljes së qytetarëve turq që ishin me qëndrim të përkohshëm në Shqipëri dhe Malin e Zi, në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës “Nënë Tereza” ishte i pranishëm zv/ambasadori i Turqisë në Tiranë, Muammer Hakan Cengiz, dhe zyrtarë të tjerë të ambasadës.

Procesi i riatdhesimit të shtetasve turq është realizuar pas bashkëpunimit të autoriteteve të Shqipërisë dhe Malit të Zi, me qëllim lehtësimin e procedurave.

Halil Önen është një prej shtetasve turq që u kthye në vendin e tij dhe në një prononcim për AA ai tha se për 3 muaj nuk ka mundur të kthehet në Turqi si pasojë e problemeve të krijuara nga koronavirusi.

“Tani u bë e mundur të kthehemi në vendin tonë. Për mundësimin e kësaj, dua t’i falënderoj veç e veç punonjësit e konsullatës, ambasadorin e nderuar dhe konsullin, sepse kjo kishte rëndësi shumë të madhe për ne. Prej muajsh nuk arrijmë të flasim siç duhet me familjet tona. Tani erdhi koha të takohemi me ta. Dua të falënderoj edhe kompaninë Ari Albania dhe qeverinë e Shqipërisë për mundësimin e këtij fluturimi”, u shpreh Önen.

Një tjetër shtetas turk që udhëtoi drejt vendlindjes së tij ishte edhe Necmi Çetin, i cili për AA tha se kishte ardhur në në Shqipëri për qëllime pune.

“Ngelëm këtu për shkak të koronavirusit. Jemi këtu tashmë tre muaj. Puna jonë ka mbaruar dhe tani ne po kthehemi në Turqi. Falënderojmë shtetin tonë dhe konsullatën për mbështetjen që na e ofruan këtu. Ne e kemi mbaruar edhe punën. Falë Zotit po kthehemi”, tha Çetin.

Në këtë fluturim me avionin e kompanisë Air Albania janë gjithsej 124 persona të moshave të ndryshme, 80 prej të cilëve ishin me qëndrim të përkohshëm në Malin e Zi për arsye pune apo të tjera dhe pjesa tjetër e shtetasve ishin po me qëndrim të përkohshëm në Shqipëri.

Turqia gjatë pandemisë COVID-19 ka kryer disa operacione për kthimin në vend të shtesave turq të bllokuar në shtete të ndryshme për shkak të masave kundër përhapjes së koronavirusit.