8.5 C
Tiranë
E enjte, 9 Dhjetor, 2021

Shqipëri: Organizatat rinore, të shqetësuara për emigrimin e rinisë

Në Tiranë, organizatat rinore po monitorojnë pikëpamjet e grupmoshave të reja dhe protestojnë për premtimet e pambajtura ndaj të rinjve, pjesa më e madhe e të cilëve mendojnë të emigrojnë dhe ankohen për papunësinë apo mungesën e perspektivës.

Nga ana tjetër rrjetet rinore po ndjekin nga afër edhe premtimet e reja për rininë, që partitë politike po shprehin në prag të fushatës së re zgjedhore.

Organizata rinore Qëndresa Qytetare monitoron në vazhdimësi premtimet elektorale për rininë në 4 vjetët e fundit, planin e veprimit për arsimin dhe rininë dhe vecanërisht premtimet e të ahstuquajturit Pakti për universitetin, i cili u hartua gjatë protestave studentore dy vjet më parë.

Përfaqësuesi i kësaj organizate rinore, Rigels Xhemollari, thotë se bursat dhe tarifat në universitete janë përmirësuar, por nuk është bërë asgjë për anti-plagjiaturën, për vetingun e gradave shkencore të pedagogëve, cilësinë e mësimdhënies, transparencën dhe llogaridhënien.

Ende nuk ka një buxhet të kushtuar rinisë, nuk ka 12 qendra rinore në 12 qarqe, e aq më pak nuk qendra rinore në çdo njësi administrative, tha ai.

“Tendenca e të rinjve për të emigruar nuk është thjesht çështje e politikave rinore, por dukuri e përgjithshme e situatës në Shqipëri. Kur ne i pyetëm të rinjtë pse emigrojnë, ata pohojnë se arsyeja kryesore është se nuk gjejnë dot një vend pune, se këtu ka korrupsion, se nuk ka meritokraci, nuk ka një terren apo një mjedis të favorshëm për të rinjtë. Së pari duhet një buxhet për rininë, duhet investim për rininë” – thotë zoti Xhemollari.

Rrjeti Kombëtar për të Rinjtë zhvillon në mënyrë periodike konsultime dhe anketa grupmoshat e reja në të gjithë vendin dhe harton rregullisht raportin “Rinia në Shqipëri”.

Përfaqësuesja e kësaj organizate, Ervjola Osmanaj, thotë se në pjesën dërrmuese të rinjtë përmendin si problem kryesor papunësinë masive në radhët e tyre.

Po aq masiv është edhe mosbesimi ndaj partive; 35% e tyre thonë se i takojnë partitë një herë në 4 vjet për zgjedhje dhe mbi 60 % thanë se nuk besojnë tek asnjë parti politike se do ta përmirësojnë jetën e tyre.

“Dëshira e të rinjve për t’u larguar nga vendi është bërë problem kryesor. Mbi 79 për qind e të rinjve duan të largohen nga Shqipëria për të mos u kthyer më këtu. Mbi 30 për qind e të rinjve që kanë përfunduar të paktën një cikël studimesh universitare bachelor po ashtu duan të largohen nga Shqipëria pa kthim. Kjo duhet të jetë një këmbanë alarmi për institucionet shtetërore dhe për partitë politike” – tha Osmanaj.

Mijëra studentë në universitetet publike të Tiranës, Shkodrës, Elbasanit, Durrësit, Korcës e Vlorës protestuan para ministrisë së arsimit dy vjet më parë, duke kërkuar uljen e tarifave për studimet, veting për pedagogët, dekanë dhe rektorë, goditjen e korrupsionit në universitete dhe përmirësim të kushteve të jetesës dhe studimeve.

Për tu Lexuar

Të Fundit

Lajme të Ngjashme