Shqipëri, shënohet Dita Ndërkombëtare e Monumenteve të Kulturës

Aktiviteti i organizuar nën kujdesin e Muzeut Historik Kombëtar të Shqipërisë ka mbledhur drejtues të këtij institucioni, përfaqësues të institucioneve kulturore dhe studiues për të diskutuar mbi monumentet e kulturës...

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Monumenteve të Kulturës dhe Parqeve Arkeologjike në Tiranë është organizuar tryeza e diskutimit me temë “E kaluara e ndërlikuar dhe ardhmja e larmishme”, raporton Anadolu Agency (AA).

Aktiviteti i organizuar nën kujdesin e Muzeut Historik Kombëtar të Shqipërisë ka mbledhur së bashku drejtues të këtij institucioni, përfaqësues të institucioneve kulturore dhe studiues për të diskutuar mbi monumentet e kulturës, mbrojtjen e tyre dhe potencialin që mbartin për të ardhmen si trashëgimi kulturore.

Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar të Shqipërisë, Dorian Koçi, gjatë fjalës në aktivitet tha se monumentet e kulturës kontribuojnë në përcjelljen e vlerave të një vendi.

“Trashëgimia monumentale dhe historike në mbarë botën celebrohet çdo 18 prill në kryeqendrat e pasurisë botërore me aktivitete të rëndësishme kushtuar monumenteve të kulturës dhe mbrojtjes së tyre. Monumentet dhe vendbanimet historike si peizazhe të gjalla janë bartës të prekshëm të kujtesës të një pjese të përvojës njerëzore. Me anë të vërtetësisë së tyre ato kontribuojnë në përkujtimin dhe përcjelljen e vlerave të një vendi”, u shpreh Koçi.

Sipas tij, kjo ditë, përveçse kthehet në një ditë aktivitetesh kulturore për njohjen e monumenteve dhe vendbanimeve kulturore, luan një rol të rëndësishëm dhe në fokusimin e vëmendjes në problematikën e monumenteve dhe në tërheqjen e vëmendjes për llojet e rrezikuara të trashëgimisë kulturore

Koçi theksoi se funksioni kryesor i muzeve është ruajtja dhe mbrojtja e trashëgimisë kulturore.

Në vitin 1982, Këshilli Ndërkombëtar i Monumenteve dhe Siteve (ICOMOS) caktoi 18 prillin si një ditë kushtuar monumenteve të kulturës dhe parqeve arkeologjie, që u miratua si e tillë në Konferencën e 22-të të Përgjithshme të Organizatës për Arsim, Shkencë dhe Kulturë të Kombeve të Bashkuara (UNESCO), të mbajtur në vitin 1983.

Me rastin e kësaj dite institucionet në Shqipëri organizojë aktivitete të ndryshme që kanë në fokus sensibilizimin për njohjen e monumenteve të kulturës dhe mbrojtjen e tyre.