Shqipëri, TIKA shpërndan ndihma për fëmijët jetimë

Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) vazhdon të shpërndajë ndihma në Shqipëri për familjet në nevojë me rastin e muajit të Ramazanit, raporton Anadolu Agency (AA).

Në ceremoninë e shpërndarjes së ndihmave për fëmijët jetimë në mjediset e Pallatit të Sportit “Farie Hoti” në Tiranë, ishin të pranishëm ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, koordinatorja e TIKA-s në Tiranë, Emine Gizem Başkan, kryetari i Fondacionit ALSAR, Mehdi Gurra, që mbështet familjet e fëmijëve jetimë.

Ambasadori Yörük gjatë fjalës përshëndetëse, duke uruar që muaji i Ramazanit të sjellë shëndet dhe mbarësi, tha se “Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, e do shumë popullin shqiptar. Meqenëse ju mban gjithmonë në zemrën e tij dua të sjell përshëndetjet e tij. Ne çdo vit në muajin e Ramazanit falë edhe kontributit të zyrës së TIKA-s në Tiranë në bashkëpunim me fondacionin ALSAR mblidhemi këtu”.

“Ne si shteti turk përveç ndihmës së madhe që jep TIKA kemi institucione dhe organizata, si duke filluar nga Ministria e Jashtme, Gjysmëhëna e Kuqe e Turqisë, Kryesia e Turqve Jashtë Vendit dhe Komuniteteve Mike (YTB), që shpërndajnë ndihma të ndryshme në të gjithë qytetet e tjera të Shqipërisë. Për shkak të miqësive dhe vëllazërisë që shteti turk dhe shteti shqiptar kanë ndër vite së bashku ne kemi vazhduar dhe do të vazhdojmë përkrah njëri-tjetrit edhe për shumë vite të tjera”, u shpreh ambasadori turk.

Ai tha se së bashku me presidentin Recep Tayyip Erdoğan Turqia do të vazhdojë të jetë pranë në çdo moment.

Duke folur për mbështetjen e shtetit turk për Shqipërinë, ambasadori turk iu drejtua të pranishmëve se “Tërmetin e vitit 2019 ne e kemi përjetuar të gjithë së bashku. Ne nuk iu lamë vetëm përgjatë asaj periudhe. Më pas erdhi pandemia COVID-19, por edhe aty iu gjendëm pranë. Vuajtjet dhe dëshpërimi juaj ishin vuajtjet dhe dëshpërimi jonë gjithashtu”.

Kryetari i Fondacionit ALSAR, Mehdi Gurra, duke falënderuar institucionet turke, në fjalën e tij tha se të gjitha këto ndihma jepen për t’u ardhur në ndihmë vëllezërve shqiptarë.

“Ashtu si çdo vit edhe sot neve po na qëndron pranë institucioni bamirës i Turqisë në Shqipëri, TIKA, e cila do të ndihmojë të gjithë fëmijët jetimë të fondacionit tonë me pako ushqimore. Kontingjenti i sotëm starton me 1.000 pako këtu në Tiranë dhe në ditët në vazhdim do të kalojmë në të gjithë qytetet e Shqipërisë, ku në total të gjithë fëmijët e regjistruar pranë fondacionit tonë 3.500 fëmijë do të marrin të gjitha ndihma humanitare e rastin e muajit të Ramazanit”, u shpreh Gurra.

TIKA do të shpërndajë në Shqipëri 3.500 pako me produkte ushqimore si miell, sheqer, oriz, vaj, makarona, kripë dhe produkte të tjera, ndërsa në aktivitetin e sotëm janë shpërndarë rreth 1.000 pako.

Lajme të ngjashme

Comments are closed.