Shqipëri, tryezë diskutimi mbi të drejtat e grave rome

Nënkryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Vasilika Hysi, tha se vajzat e reja rome kanë kontribuar fuqishëm në forcimin e rolit të grave rome

Nënkomisioni për të Drejtat e Njeriut i Kuvendit të Shqipërisë në bashkëpunim me komisione të tjera të Kuvendit zhvilloi ditën e sotme një tryezë diskutimi me temë: “Të drejtat e grave dhe vajzave Rome – Roli i Kuvendit të Shqipërisë në promovimin dhe mbrojtjen e tyre”, raporton Anadolu Agency (AA).

E pranishme në aktivitet, nënkryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Vasilika Hysi, tha se vajzat e reja rome kanë kontribuar fuqishëm në forcimin e rolit të grave rome.

“Kemi bindjen e plotë që zëri i grave dhe vajzave rome do të jetë më i pranishëm në veprimtarinë e Kuvendit të Shqipërisë, qoftë në procesin hartimit të ligjeve dhe të adresimit të shqetësimeve që komuniteti rom has si dhe duke bërë sugjerime për të forcuar mekanizmat dhe institucionet në nivel vendor dhe vendor”, u shpreh Hysi.

Sipas saj, në kuadër të rritjes së transparencës, Kuvendi i Shqipërisë i ka dhënë një rëndësi të veçantë organizatave të shoqërisë civile.

“Është një mundësi e mirë që një komision i përhershëm parlamentar siç është Komisioni për Shëndetësinë dhe Çështjet Sociale dhe Nënkomisioni për të Drejtat e Njeriut dhe ai për Barazinë Gjinore dhe Parandalimin e Dhunës në Familje dëgjojmë një raport të përgatitur nga vetë minoriteti, ku do të kemi mundësi të shkëmbejmë mendime dhe sugjerime se çfarë ne mund të bëjmë”, tha Hysi.

Më tej gjatë fjalës së saj, Hysi inkurajoi gratë dhe vajzat e komuniteti rom që të trokasin në Kuvendin e Shqipërisë sa herë që kanë një problem për t’u zgjidhur.

Ndërsa, deputetja e Kuvendit të Shqipërisë, Klodiana Spahiu, në fjalën e saj tha se komuniteti rom ka probleme sociale të shumta, të cilat sipas saj mund të luftohen duke rritur nivelin ekonomik të tyre.

Sipas Spahiut, në të ardhmen Kuvendi do të ketë disa projekte të cilat do të mbështesin fuqishëm të gjitha familjet rome.

Në këtë aktivitet merrnin pjesë deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, përfaqësues të ministrive të ndryshme, si dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile që mbrojnë dhe promovojnë të drejtat e komunitetit rom në Shqipëri.