Shqipëri, tryezë diskutimi mbi trashëgiminë kulturore

Duke folur për rëndësinë e objekteve të trashëgimisë kulturore, Tole tha se Shqipëria sot ka disa objekte të regjistruara në listat botërore të trashëgimisë

Në kuadër të Ditëve Evropiane të Trashëgimisë u zhvillua sot në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë një tryezë diskutim me temë: “Trashëgimia Kulturore Kombëtare, pjesë e rëndësishme e Trashëgimisë Evropiane”, raporton Anadolu Agency (AA).

Në aktivitet merrnin pjesë nënkryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akademik Vasil Tole, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi, përfaqasues të institucioneve të ndryshme kulturore, studiues dhe studentë.

Në fjalën e tij, zëvendëskryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akademik Vasil Tole tha se dita e trashëgimisë kultutore është një ditë e “shenjtë”, e cila sipas tij, kujton të gjithë ata që sakrifikuan për të studiuar dhe restauruar trashëgiminë kulturore të Shqipërisë.

“Në themel të kësaj dite, qëndron një sakrificë sublime e tre ish-ushtarakëve shqiptarë, të cilët në vitin 1916 në kulmin e Luftës së Parë Botërore sakrifikuan jetën e tyre për të mbrojtur parkun Arkeologjik të Apollonisë nga vandalizmat që po i bëheshin dhe nga rrëmbimi i objekteve arkeologjike nga ushtritë pushtuese”, tha Tole.

Duke folur për rëndësinë trashëgimisë kulturore, Tole theksoi se ajo nuk do të kuptohej dot nëse nuk perceptohet si një trup njeriu që ka dy krahë, ku njëri krah është trashëgimia kulturore materiale, gjithçka që është e prekshme. Ndërsa aspekti tjetër është trashëgimia kulturore jomateriale, e paprekshme.

“Këtu konsiderohen dhe vlerësohen si dukuri të kësaj trashëgimie duke filluar prej gjuhës. Bashkë me gjuhën në këto dukuri futet dhe muzika popullore, këngët, vallet dhe mjaft elemente të tjera të cilat së bashku me monumentet e kulturës përbëjnë së bashku korpusin e të konceptuarit të trashëgimisë kulturore në Shqipëri”, shtoi Tole.

Sipas tij, kujdesi për trashëgiminë ka filluar me ngritjen e institucioneve të shtetit shqiptar dhe se lista e monumenteve është pasuruar dhe arrin mbi 30 mijë objekte.

“Në listën e monumenteve shqiptare ka qytete antike, parqe arkeologjike, ansamble muze, larmishmëri objektesh që lidhen me ndërtesat popullore, ndërtesat e kultit etj”, u shpreh Tole.

Duke folur për rëndësinë e objekteve të trashëgimisë kulturore, Tole tha se Shqipëria sot ka disa objekte të regjistruara në listat botërore të trashëgimisë.

“Kur janë pranuar monumentet në listën e monumenteve botërore të ruajtje së trashëgimisë ato nuk na kanë vendsour asnjë kusht, por u ndjenë të kënaqur që shqiptarët si pjesë gjeografike e Europës i kanë ruajtur dhe mirëmbajtur ato dhe që sot përfaqësohen si vlera europiane të stacionuara në Shqipëri”, përfundoi Tole.

Ditët Europiane të Trashëgimisë Kulturore, një iniciativë e Këshillit të Evropës dhe Komisionit Europian, festohen nga miliona qytetarë evropianë me një kalendar eventesh në përputhje me tematikën e përzgjedhur çdo vit.