Dy kontingjente me trupa nga Forcat e Armatosura të Shqipërisë janë nisur për në Afganistan, ku për rreth 6 muaj do të shërbejnë në dy baza të ndryshme në misionin e NATO-s “Resolute Support”, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në njoftimin nga Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë thuhet se kontingjenti i parë i përbërë nga pjesëtarë të Batalionit të Mbështetjes me Luftim do të dislokohet në Aeroportin Ndërkombëtar të Kabulit, ndërsa grupi i dytë i përbërë nga pjesëtarët e Forcave Speciale do të shërbejë në Bagram.
Në ceremoninë e përcjelljes së ushtarakëve shqiptarë për në mision ishte i pranishëm zëvendësministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Petro Koçi, drejtues të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, si dhe familjarë të ushtarakëve.
Sipas njoftimit, zëvendësministri Koçi në fjalën e tij e konsideroi nisjen e trupave në mision si ditë të shënuar për Forcat e Armatosura të Shqipërisë dhe vuri në dukje pjesëmarrjen e ushtarakëve shqiptarë në të gjithë misionet e NATO-s.
“Është detyrë e Forcave tona të Armatosura, është detyrë e Republikës së Shqipërisë si anëtare e NATO-s për t’i shërbyer angazhimeve tona që ne kemi marrë përsipër përkundrejt kësaj aleance historike. Ne jemi një nga vendet e para në NATO që krahasuar me numrin e ushtarakëve që ka Forca jonë e Armatosur kontribuon në misione ndërkombëtare. Këto ditë Shqipëria jeton ditë të vështira. Ne jemi krenarë me punën që kanë bërë Forcat e Armatosura që nga orët e para të tërmetit të 26 nëntorit”, është shprehur Koçi.
Shqipëria është bërë pjesë e dhjetëra operacioneve dhe misioneve ndërkombëtare në Kosovë, Bosnje dhe Hercegovinë, Mali, Detin Egje, Letoni, Irak dhe Afganistan.
Gjatë 10 viteve si vend anëtar i NATO-s, Ushtria e Shqipërisë është përfshirë në një proces transformimi dhe modernizimi, që nga personeli dhe deri te pajisjet dhe mjetet ushtarake. ![]()



