Shqipëria dhe Kosova do të preken më shumë nga kriza ekonomike

Kosova, Mali i Zi dhe Shqipëria pritet të jenë vendet më të goditura nga kriza në Ballkanin Perëndimor ndërkohë që Maqedonia e Veriut, Bosnja dhe Serbia pritet të kenë rënie më të përmbajtur.

Shqipëria do të ketë një rënie ekonomie vjetore në masën 5% gjatë këtij viti në rast se pandemia e koronavirusit imponon kufizime të aktivitetit ekonomik deri në fund të qershorit si dhe rënie në masën 6.9% në rast se kufizimet zgjasin deri në Gusht, bëri të ditur një vlerësim i ri i Bankës Botërore.

Kosova, Mali i Zi dhe Shqipëria pritet të jenë vendet më të goditura nga kriza në Ballkanin Perëndimor ndërkohë që Maqedonia e Veriut, Bosnja dhe Serbia pritet të kenë rënie më të përmbajtur.

Raporti mbështet parashikimin e vet në dy skenarë duke paralajmëruar njëkohësisht se pandemia ka shkaktuar pasiguri shumë të lartë ekonomike, gjë që e bën të vështirë parashikimin e treguesve kryesorë makroekonomikë. Sipas skenarit të parë, kriza e pandemisë kapërcehet para fundit të qershorit dhe të gjitha kufizimet hiqen para fillimit të gjashtëmujorit të dytë. Sipas këtij skenari, rënia ekonomike e Shqipërisë do të jetë 5%, ku problemi kryesor do të shkaktohet nga rënia e eksporteve. Por në rast se kufizimet e shkaktuara nga pandemia mbesin në fuqi deri në fund të muajit Gusht, dhe kjo përbën skenarin e dytë, rënia ekonomike e Shqipërisë pritet të arrijë në 6.9%.

Në të njëjtën kohë, parashikimi për Kosovën është për rënie 4.5 deri në 11.3%.

Njësoj si FMN, edhe Banka Botërore parashikon një ringritje të shpejtë ekonomike gjatë viteve në vijim por paralajmëron se ringritja do të varet shumë nga  cilësia e përgjigjes së qeverisjes ndaj krizës, shkruan Reporter.

“Në periudhën afatmesme, shkalla e rritjes ekonomike pritet të ngrihet fuqimisht në rajon, me kthimin gradual në normalitet të veprimtarisë ekonomike, por kjo varet edhe nga kohëzgjatja dhe intensiteti i krizës së tanishme, si edhe nga hapat që do të marrin politikëbërësit për t’iu përgjigjur kësaj pandemie,” thuhet në raport.

Por ringritja varet gjithashtu edhe  nga ecuria e ekonomisë në vendet anëtare të Bashkimit Europian, të cilat, nëse nuk rimëkëmben shpejt pas krizës, do të sjellin edhe kërkesë të ulët për mallrat dhe shërbimet e Ballkanit Perëndimor. Shqipëria dhe Mali i Zi, vende që kanë sektor të gjerë turizmi, janë më të rrezikuar në këtë drejtim me një pjesë të sezonit turistik ose ndoshta të të gjithë sezonit të paralizuar.

Banka Botërore thekson gjithashtu nevojën që masat mbrojtëse të ndërmarra nga qeveritë e rajonit të përfshijnë edhe segmente të gjera të popullsisë, të cilat varen nga puna me orar të pjesshëm apo puna informale për të siguruar të ardhura dhe që aktualisht po vuajnë pasojat më të rënda.

“mund të jetë e nevojshme që këto grupe të cënueshme të mbështeten përmes masave të përshtatura sipas kushteve të vendit,” shkruhet në raport. Por ndryshe nga sa sugjeron BB, qeveria shqiptare ka mbajtur një qëndrim moralist ndaj të punësuarve në sektorin informal në ekonomi, me kryeministrin Edi Rama që iu përgjigj thirrjeve për të ndihmuar këtë kategori me sugjerimin që punëmarrësit në të zezë të “denoncojnë punëdhënësin”.

Kjo dukshëm del jashtë kontekstit të problemit pasi të punësuarit në të zezë jo gjithmonë është çështje zgjedhjeje morale dhe se punësimi i personave pa sigurime shoqërore është problem strukturor dhe politik në Shqipëri.