Shqipëria drejt deflacionit?! Konsumi i dobët çon inflacionin e janarit në 0.4%, niveli më i ulët në 5 vite

Inflacioni i janarit shënoi nivelin më të ulët që nga shkurt -prilli 2016, ku treguesi ishte midis 0.2-0.3%.

Rënia e konsumit përgjatë muajit janar, e reflektuar edhe tek grupi i ushqimeve, e ka çuar inflacionin drejt zeros, duke rrezikuar deflacionin (rritje negative e çmimeve). INSTAT raportoi sot se Rritja e Përgjithshme e Çmimeve ishte 0.4% në janar dhe erdhi kryesisht nga rritja shumë e dobët e çmimeve të ushqimeve që zakonisht janë formuesi kryesor i inflacionit. Inflacioni i janarit shënoi nivelin më të ulët që nga shkurt -prilli 2016, ku treguesi ishte midis 0.2-0.3%.

Pikat e tregtisë me pakicë në kryeqytet kanë pohuar se ky ka qenë një vit i dobët sa u takon shitjeve sidomos muaji janar. Sipas atyre arsyet lidhen me situatën që ka krijuar pandemia në sjelljen konsumatorë dhe në rënien e të ardhurave.

Sipas INSTAT, rritja vjetore e çmimeve në muajin Janar është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +0,36 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me +0,13 pikë përqindje.

Çmimet e grupit “Mallra dhe shërbime të ndryshme” kanë kontribuar me +0,06 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Argëtim dhe kulturë” kanë kontribuar me +0,05 pikë përqindje.

Çmimet e grupeve “Pije alkoolike dhe duhan” dhe “Hotele, kafene dhe restorante” kanë kontribuar me +0,04 pikë secili. Çmimet e grupit “Shëndeti” kanë kontribuar me +0,03 pikë përqindje.

Çmimet e grupit “Komunikimi” kanë kontribuar me +0,02 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Transporti” kanë kontribuar me -0,29 pikë përqindje.

Çmimet e grupit “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me -0,02 pikë përqindje.

Çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” kanë kontribuar me -0,01 pikë përqindje.

Krahasuar me muajin Janar 2020, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 2,0 %, pasuar nga grupet “Argëtim dhe kulturë” me 1,7 %, Ushqime dhe pije joalkoolike” me 1,2 %, “Pije alkoolike dhe duhan” me 1,1 %, “Hotele, kafene dhe restorante” me 1,0 %, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” dhe “Shëndeti” me 0,9 % secili, “Komunikimi” me 0,7 %.

Nga ana tjetër çmimet e grupit “Transporti” u ulën me 4,7 %, pasuar nga grupet “Veshje dhe këpucë” me 0,4 % dhe “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0,1 %. Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “vajra dhe yndyrna” u rritën me 5,0 %, pasuar nga nëngrupet “peshk” dhe “qumësht, djathë dhe vezë” me 3,4 % secili, “fruta” me 2,9 %, etj.

Krahasuar me muajin Dhjetor 2020, çmimet e grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” u rritën me 3,0 %, pasuar nga grupet “Shëndeti” me 1,0 %, “Pije alkoolike dhe duhan” me 0,8 %, “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 0,7 %, “Argëtim dhe kulturë” dhe “Hotele, kafene dhe restorante” me 0,6 % secili, “Transporti” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,2 % secili, “Veshje dhe këpucë”, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” dhe “Shërbimi arsimor” me 0,1 % secili. /monitor