Shqipëria e nis me fitore Ligën e Kombeve, kuqezinjtë bindin në Bjellorusi me golat e Cikalleshit dhe Bares

Tashmë Shqipëria ka marrë kryesimin e grupit së bashku me Kazakistanin që fitoi ndeshjen tjetër në transfertë ndaj Lituanisë.

Shqipëria ka fituar ndeshjen e parë të Ligës së Kombeve 2-0 në Bjellorusisë. Kuqezinjtë kanë qenë të qetë, dominantë dhe taktikë gjatë gjithë lojës në transfertën e Minskut teksa nuk e vendosën për asnjë moment në dyshim fitoren.

Të besuarit e Edy Reja-s e nisën mirë pjesën e parë teksa Cikalleshi në minutën e 23-të me një goditje nga jashtë zonës, i ndihmuar dhe nga një devijim i Bares çoi topin në cepin e majtë të portierit Gutor për ta ndalur në rrjetë.

Në të dytën ritmi ra disi, por Odise Roshi me freskinë dhe shpejtësinë e tij i dha një asist mesfushorit Bare që e dërgoi në rrjetë topin për të dyfishuar shifrat, shkruan Balkanweb.

Tashmë Shqipëria ka marrë kryesimin e grupit së bashku me Kazakistanin që fitoi ndeshjen tjetër në transfertë ndaj Lituanisë. Me këtë të fundit Shqipëria luan në Tiranë pas 3 ditësh ku do të tentojë 3 pikët e radhës.