Shqipëria është ndër të paktët vende që nuk ka operatorë celularë virtualë

Në Shqipëri, një kuadër i qartë rregullator për operimin e këtyre operatorëve nuk ekziston ende.

Shqipëria është ndër të paktët vende të Europës që nuk ka operatorë të rrjeteve virtuale në komunikimet celulare. Këto operatorë janë të pranishëm në shumicën e tregjeve botërore dhe pjesa e tyre e tregut arrin deri në 15%.

Operatorët virtualë nuk kanë një rrjet të tyre dhe e ofrojnë shërbimin mbështetur në rrjetet e operatorëve celularë. Në disa raste ata mund të veprojnë thjesht si rishitës të shërbimeve të operatorëve celularë, duke blerjë njësi me shumicë dhe duke i rishitur me pakicë te përdoruesit fundorë. Në raste të tjera, operatorët virtual që zotërojnë një infrastrukturë teknike mbështetëse, që iu mundëson t’i krijojnë vlerë të shtuar shërbimeve të ofruara.

Në disa vende dhënia e aksesit në rrjet për operatorët virtual bëhet mbi marrëveshje tregtare, ndërsa në vende të tjera mbi kushte të përcaktuara nga autoriteti rregullator, i cili vendos detyrime për operatorët me fuqi të ndjeshme në tregun përkatës.

Në Shqipëri, një kuadër i qartë rregullator për operimin e këtyre operatorëve nuk ekziston ende. Një adresim i problemit pritej nga analiza e tregjet me shumicë të aksesit dhe origjinimit, por Këshilli Drejtues i AKEP ende nuk po e miraton analizën e tregut, megjithëse ajo u hodh për konsultim publik qysh në qershor të vitit të kaluar. Nëse analiza miratohet, operatori më i madh celular në vend do të detyrohet të japë akses në rrjetin e tij për operatorë virtualë.

Qysh prej vitit 2018, dy kompani kanë paraqitur kërkesë në AKEP për të operuar si operatorë virtualë, por ende nuk kanë marrë përgjigje. Në kushtet aktuale, operatorët virtualë janë ndër shpresat e pakta për të sjellë konkurrencë të shtuar në tregun e komunikimeve të lëvizshme në Shqipëri. /SCAN