Shqipëria financon dy biblioteka në gjuhën shqipe në Tuz

Bëhet fjalë për rikonstruksionin e bibliotekave të dy shkollave në gjuhën shqipe në qytetin e Tuzit, shkollës fillore ‘Mahmut Lekić’ dhe shkollës së mesme ‘25 Maj’, e cila është shkolla e vetme e mesme në të gjithë rajonin e Podgoricës.

Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, nëpërmjet një reagimi në Facebook, bëri me dije se është vendosur të jepet mbështetje financiare për ripërtëritjen e bibliotekave të dy shkollave në qytetin e Tuzit dhe pajisjen e tyre me literaturë bashkëkohore.

Një nismë e tillë vjen pas investimit të kryer nga qeveria shqiptare në qytetin e Ulqinit, ku u ngrit libraria e parë me literaturë në gjuhën shqipe.

Bëhet fjalë për rikonstruksionin e bibliotekave të dy shkollave në gjuhën shqipe në qytetin e Tuzit, shkollës fillore ‘Mahmut Lekić’ dhe shkollës së mesme ‘25 Maj’, e cila është shkolla e vetme e mesme në të gjithë rajonin e Podgoricës, transmeton euronews.

“Derisa të ndodhë funksionalizimi i plotë i Fondit Ndër-Shtetëror për Mbështetjen Financiare të Shqiptarëve në Mal të Zi, ne gjithsesi do të vijojmë mbështetjen për projekte të ndryshme në të mirë të shqiptarëve atje, veçanërisht në ruajtjen e ngritjen e arsimit në gjuhën shqipe. Në ndërkohë për një kohë të shkurtër do të hapim edhe Konsullatën e Përgjithshme të Shqipërisë në Ulqin”, u shpreh Cakaj.