Shqipëria fitoren detyrim sonte ndaj Kazakistanit

Shqipëria para provës së të vërtetës. Në orën 18:00, në “Air Albania”, kuqezinjtë e Edy Rejas do të përballën me Kazakistanin...

Shqipëria para provës së të vërtetës. Në orën 18:00, në “Air Albania”, kuqezinjtë e Edy Rejas do të përballën me Kazakistanin, në raundin e parafundit të ndeshjeve në grupe në Nation League dhe pak ditë më vonë do të presin Bjellorusinë, për të përmbyllur me sukses një rrugëtim me shumë dritëhije.

Duhen patjetër gjashtë pikë në këto dy sfida, të cilat edhe mund të mos mjaftojnë nëse Lituania i fiton të dyja përballjet e saj me Bjellorusinë dhe Kazakistanin (të dyja në transfertë). Llogaritë duhet të bëhen vetëm në fushën e blertë, aty ku kërkohen patjetër pikët maksimale, për të mos u varur nga kombinimet matematikore.

Në kampin kuqezi duan patjetër të “lajnë mëkatin” e asaj humbjeje në Tiranë me Lituaninë, e cila la shije të keqe jo thjesht për rezultatin, por për qasjen që patën futbollistët tanë në fushë ne blertë. Në ndeshjet pasuese pati reagim, por që nuk ishte i mjaftueshëm për fituar një pozicion komod në renditje.

Edy Reja nuk mund të ketë më alibinë e mungesave. Për Kazakistanin ka në dispozicion shumë nga elementët tek të cilët nuk mund të mbështetej në Kazakistan apo Lituani, ku Shqipëria mundi të barazonte. Sokol Cikalleshi në sulm (gjithsesi, italiani pritet të aktivizojë dyshen Balaj-Seferi), Hysaj, Gjimshiti e Smajli në prapavijë (mungesa e madhe është Kumbulla) apo Memushaj e Gjasula në mesfushë, janë “peshat e rënda” që duhet të bëjnë diferencën përballë një Kazakistani me shumë mungesa për arsye dëmtimesh dhe infektimesh me COVID-19.

Nuk mund të ketë asnjë justifikim ndaj një kundërshtari ndjeshëm inferior në cilësi, ndërsa të mërkurën me Bjellorusinë, duhet të vijë “qershia mbi tortë”, për ta mbyllur grupin në vendin e parë dhe arritur objektivin, që sigurisht mbetet minimal.

FORMACIONET ZYRTARE:

SHQIPËRIA: Berisha, Veseli, Ismajli, Gjimshiti, Hysaj, Abarshi, Memushaj, Kallaku, Uzuni, Manaj, Cikalleshi. Trajner: Edi Reja.

KAZAKISTANI: Pokatilov, Alip, Vorogovski, Maroçkin, Kerimzhanov, Kuat, Bejsebekov, Abiken, Sujumbajev, Shetkin, Aimbetov.

GJYQTARË: Xavier Fernandez, Roberto Fernandez, Guadalupe Ajuso (SPANJË)