“Shqipëria mbështet dialogun Kosovë-Serbi”

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, priti sot në një takim Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, priti në një takim Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, me të cilin diskutuan intensifikimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, ecurinë e proceseve integruese drejt Bashkimit Evropian, si dhe zhvillimet në rajon, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në njoftimin nga Presidenca e Shqipërisë thuhet se presidenti Meta u shpreh se Shqipëria mbështet dialogun Kosovë-Serbi, për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre, si dhe theksoi domosdoshmërinë që marrëveshjet e arritura deri tani të mos mbesin vetëm në letër.

“Është e rëndësishme që të gjitha forcat politike të Kosovës të jenë të bashkuara rreth një platforme gjithëpërfshirëse në këtë proces”, ka theksuar Meta.

Sipas njoftimit, Meta inkurajoi bashkëpunimin e ngushtë me partnerët strategjikë, “që kanë pasur një rol vendimtar në pavarësinë e Kosovës dhe afirmimin e saj ndërkombëtar”.

Më tej presidenti Meta ka theksuar se liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës është një domosdoshmëri.

“Me lehtësimin e masave anti-COVID dhe me afrimin e sezonit turistik, presidenti Meta inkurajoi një bashkëpunim më të ngushtë mes Shqipërisë dhe Kosovës, me qëllim zhvillimin e turizmit në të dyja vendet tona”, thuhet në njoftim.

Gjatë vizitës zyrtare në Shqipëri, Konjufca u takua edhe me kryeparlamentarin Gramoz Ruçi dhe kryetarin e Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha.