Shqipëria synon t’i transformojë financat e saj me buxhetim gjinor

Buxhetimi i përgjegjshëm gjinor në Shqipëri është i detyrueshëm nga ligji për financat e qeverisë qendrore dhe vendore.

Në një prezantim virtual mbi nismën rajonale në mbështetje të vendeve të Ballkanit për të bërë progres në integrimin e barazisë gjinore drejt  politikëbërjes dhe buxhetimit në nivel vendor e kombëtar, përfaqësues të organizatës ndërkombëtare UN Women në Shqipëri dhe të Agjencisë Suedeze të Bashkëpunimit Ndërkombëtar për Zhvillim (SIDA) zhvilluan bisedime për përshpejtimin e ecurisë së kësaj nisme drejt fuqizimit të grave.

“Vendosja e barazisë gjinore dhe zërave të grave në qendër të planeve dhe buxheteve mund të nxisë ekonomitë dhe të sjellë ndryshime transformuese në jetën e komuniteteve – çka është më e rëndësishme se kurrë tani në funksion të krizës së COVID-19,” tha Carolina Wennerholm, Shefe për Ballkanin Perëndimor, Turqinë dhe Amerikën e Jugut në agjencinë suedeze SIDA.

Rëndësia e Buxhetit të Përgjithshëm Gjinor (BPGj) doli në pah kryesisht gjatë përhapjes së  pandemisë së COVID-19, pasi përballë një situate me ndryshime të shpejta u bë e nevojshme edhe për vendime mbi politikat dhe buxhetet që të merreshin në mënyrë të përshpejtuar, të cilat duhet të ishin më fleksibël për t’iu përshtatur nevojave të gjithsecilit në mënyrë të barabartë.

Buxhetimi i përgjegjshëm gjinor në Shqipëri është i detyrueshëm nga ligji për financat e qeverisë qendrore dhe vendore. Si rezultat, buxhetet që kanë lente gjinore sot përbejnë 7,2 për qind të buxhetit vjetor krahasuar me 1 për qind që ishte pesë vjet më parë kur UN Women nisi të mbështesë këtë nismë në Shqipëri.

Në Ballkanin Perëndimor UN Women përgjatë dhjetë viteve të fundit ka punuar me iniciativa të buxhetit gjinor duke krijuar kështu ndikime afatgjata në jetët e grave dhe vajzave të zonës.

Gjithashtu, nëpërmjet programit “Financat Transformuese për Barazi Gjinore në Ballkanin Perëndimor”, UN Women do të vijojë të drejtojë përpjekjet e financimit lidhur me barazinë gjinore në rajon, duke siguruar asistencë teknike të personalizuar dhe udhëzues për institucionet qeveritare dhe duke përmirësuar kapacitetet dhe njohuritë e tyre institucionale.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë së Shqipërisë u shpreh se edhe financat publike nëpërmjet kësaj nisme do t’i mundësojnë burrave dhe grave të përfitojnë në mënyrë të barabartë midis tyre.

“Ne synojmë financa publike që ofrojnë shërbime të përmirësuara publike, duke u mundësuar grave dhe burrave të përfitojnë në mënyrë të barabartë, çka do të ndalë kështu pabarazitë dhe do t’i ri-adresojë ato,” u shpreh ministrja Anila Denaj, gjatë videokonferencës të së martës.

Edhe zonja Alia El-Yassir, drejtoresha rajonale e “UN Women” për Europën dhe Azinë Qendrore, konfirmoi se ky program gjen zbatim në çastin e duhur dhe se “UN Women” do të ndihmojë në tejkalimin e pandemisë së shkaktuar, me qëllim që ribalancimi i buxhetit të përdoret si mundësi për të rindërtuar më mirë barazinë gjinore.

“Ky program zbatohet në momentin e duhur, ndërkohë që ne vlerësojmë dhe shohim deri ku kemi arritur dhe sa rrugë kemi ende para nesh për të arritur barazinë gjinore. Qeveritë në këtë program janë tashmë advokues të fuqishëm dhe partnerë të përkushtuar në këtë rrugëtim,” u shpreh Alia El-Yassir. /Reporter