Shtëpia e Bardhë shmang dënimin e Izraelit pavarësisht pyetjeve nga gazetarët

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë u pyet nëse Biden beson se palestinezët kanë të drejtë për vetëmbrojtje dhe nëse dënon dëbimet e detyruara nga Izraeli...

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki shmangu pyetjen e një gazetari nëse presidenti i SHBA-së, Joe Biden beson se palestinezët kanë të drejtë për vetëmbrojtje mes sulmeve ajrore izraelite, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Kemi dëgjuar në mënyrë të përsëritur deklaratat në lidhje me dhunën në Izrael se Izraeli ka të drejtë legjitime për vetëmbrojtje, por nuk po dëgjojmë për të drejtën e palestinezëve për vetëmbrojtje. Pse është kështu dhe a beson presidenti se palestinezët kanë të drejtë për vetëmbrojtje”, pyeti një gazetarë.

Në përgjigje, Psaki nuk i tha “po” ose “jo” pyetjes por tha se SHBA-ja po punon për de-përshkallëzim dhe përpjekje për të ulur tensionet në rajon.

“Më lejoni të them së pari, mendoj se është e rëndësishme të theksohet, pasi mendoj se do të bini dakord, se këto sulme (me raketa) që vijnë nga Hamasi vënë në rrezik shumë palestinezë për shkak të dhunës që po ndodh”, tha ajo.

“Po ashtu edhe presidenti në deklaratën e tij dje e bëri të qartë siç e dini. Ai nënvizoi rëndësinë e angazhimit për të avancuar paqen në të gjithë rajonin, përfshirë atë midis izraelitëve dhe palestinezëve. Çdo humbje e jetës, çdo kërcënim për jetën, të cilën ne me siguri e kemi parë, është një tragjedi”, tha Psaki.

Tensionet kanë qenë të larta në lagjen Sheikh Jarrah të Kudsit Lindor që nga java e kaluar kur një gjykatë izraelite urdhëroi dëbimin e familjeve palestineze, e cila më vonë u shty.

Biden të mërkurën deklaroi se Izraeli “ka të drejtë të mbrojë veten kur kemi mijëra raketa që fluturojnë në territorin e saj” ndërsa dhuna vazhdon të përshkallëzohet midis Izraelit dhe Palestinës.

Kur gazetari pyeti nëse administrata e Bidenit gjithashtu dënon dëbimet e detyruara të palestinezëve nga shtëpitë e tyre, Psaki tha se zyrtarët e SHBA-së e kanë ngritur çështjen në shumë nivele por shmangi të jepte një përgjigje të drejtpërdrejtë të pyetjes.

“Ne kemi folur për këtë në shkresat tona dhe sigurisht që këshilltari ynë i sigurisë kombëtare ka ngritur çështjen dhe ne kemi ngritur çështjen në shumë nivele, rëndësinë e adresimit të ndërtimeve në këto komunitete dhe faktin që, siç e dini, të ecim përpara dhe të shkojmë drejt një de-përshkallëzimi. Kjo është një çështje e rëndësishme që duhet adresuar”, përfundoi ajo.

Palestinezët që protestuan në solidaritet me banorët e Sheikh Jarrah u vunë në shënjestër të forcave izraelite.

Përshkallëzimi rezultoi në sulme ajrore nga Izraeli në Gaza, të cilat kanë lënë shumë të vdekur dhe qindra të plagosur.

Izraeli pushtoi Kudsin Lindor gjatë luftës arabo-izraelite në vitin 1967 dhe aneksoi të gjithë qytetin në vitin 1980, veprim ky që nuk është njohur kurrë nga komuniteti ndërkombëtar.