Shtëpia, gjithmonë e më shtrenjtë. Janë rritur çmimet nga 850 deri në 4000 euro një metër katror

Blerja e një apartamenti në pallate të reja në Tiranë po kushton gjithë e më shtrenjtë. Sipas ekspertëve imobiliar në disa zona të kryeqytetit çmimet janë rritur deri në 30% më shumë.

Ky shtrenjtim i ndjeshëm sipas tyre vihet re në zona ku po përmirësohet infrastruktura si ajo e Astirit ku çmimet kanë arritur në rreth 850 euro/m2 si dhe njësi të tjera që po marrin hov zhvillimi si 5 Maji, Shkolla e Bashkuar si dhe zona e Ish-Parkut, ku në këtë të fundit një metër katror arrin deri në 1500 euro.

kostot bëhen më të kripura kur flitet për zonën e ish-Bllokut, ku në ndërtesat e reja çmimet arrijnë deri në 4000 euro/m2.

“Rritja më e madhe ka ardhur në zonat brenda unazës ose vogël të Tiranës. Ish-Parku ka pësuar një rritje sidomos godinat e reja, duke parë dhe standardin që po ndërtohet atje ka parë një rritje me rreth 30% brenda një viti. Çmimet arrijnë në 1500 euro/m2 çmimi maksimal. Zona të tjera si ajo e 5-Majit, kryesisht komplekset sepse janë bërë shumë të kërkuara për shkak të faciliteteve, gjelbërimin, mundësia e parkimit. Mund të flasim për objekte të përfunduara që anë arritur çmimet 950-1000 euro/m2, një rritje 15-20%. Pranë zonës së Shkollës së Bashkuar, Spitali 5 një rritje me gati 15%. Astiri për shkak të urbanizimit të menjëhershëm, ka pas një rritje nga 650 euro ka shkuar në 850 euro. Nëse flasim për zonat ngjitur me unazën e madhe kanë shkuar çmimet edhe deri në 1000 euro/m2.”

Komplekset po preferohen gjithnjë e më shumë nga blerësit e apartamenteve sipas ekspertëve për shkak të faciliteteve që ofrojnë. Veç apartamenteve, kërkesë të shtuar sipas tyre ka pasur edhe për vila në zonat periferike të Tiranës.

“Apartamentet janë ato që kërkohen padyshim më shumë, ku po shihen edhe një një mënyrë për të investuar. Kërkesat kanë qenë të larta edhe për vila në zonën e Saukut dhe liqenit të Farkës. Çmimet e këtyre vilave variojnë mesatarisht nga 350 mijë euro e që arrijnë edhe deri në 1 milionë euro.”
Ekspertët vlerësojnë se ky shtrenjtim lidhet edhe me rritjen e çmimeve të materialeve bazë të ndërtimit e si rrjedhojë çmimet e apartamenteve mund të shohin rritje të vazhdueshme edhe në vijim.