Shtetet e Bashkuara inaugurojnë presidentin e ri, Joe Biden

Në fjalimin e tij të parë si president, para Kongresit amerikan, Biden përçoi mesazhe uniteti dhe vlerësoi demokracinë amerikane.

Demokrati, Joe Biden, bëri betimin si presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara.

“Betohem solemnisht se do ta përmbush me besnikëri detyrën time si president i Shteteve të Bashkuara dhe se do ta ruaj dhe mbroj më së miri Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara”, tha Biden teksa u betua para gjykatësit të Gjykatës Supreme, John Roberts.

Në fjalimin e tij të parë si president, para Kongresit amerikan, Biden përçoi mesazhe uniteti dhe vlerësoi demokracinë amerikane.

“Do të jem president i të gjithë amerikanëve”, tha Biden.

“Demokracia është e brishtë dhe në këtë moment, miqtë e mi, demokracia ka mbizotëruar”, tha ai.

Dy javë më parë ndërtesa e Kongresit u sulmua nga mbështetës të ish-presidentit, Donald Trump, në kohën kur ligjëvënësit po certifikonin rezultatin e zgjedhjeve të 3 nëntorit. Pesë njerëz kanë mbetur të vdekur në trazira.

“Tani, në këtë tokë të shenjtë, ku vetëm pak ditë më parë dhuna synoi të trondisë vetë themelin e Kongresit, ne bëhemi së bashku si një komb, nën Zotin, për të kryer transferimin paqësor të pushtetit siç e kemi bërë për më shumë se dy shekuj “, tha Biden, për të shtuar se “Amerika është provuar dhe është ngritur ndaj sfidave”.

“Sot, ne festojmë jo fitoren e një kandidati, por të një kauze, një kauze të demokracisë”, tha presidenti Biden.

Biden, 78 vjeç, është presidenti më i vjetër amerikan që merr detyrën.

Ai i ka fituar zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit, 2020, kundrejt presidentit të deritanishëm, Donald Trump. Kongresi e ka miratuar fitoren e tij më 6 janar.

Inaugurimi është një ceremoni zyrtare që shënon fillimin e një presidence të re në Shtetet e Bashkuara dhe, sipas ligjit, zhvillohet më 20 janar në Uashington.

Ceremonia e inaugurimit sivjet është ndër më të pazakonshmet në historinë e Shteteve të Bashkuara. Ajo zhvillohet nën masa të pashembullta të sigurisë, të cilat pasojnë dhunën e 6 janarit në ndërtesën e Kongresit. Ish-presidenti, Donald Trump, nuk mori pjesë në ceremoni, por aty ishte ish-nënpresidenti, Mike Pence.