Shteti turk vazhdon të ndjekë autorët e “ngjarjeve të 6-8 tetorit 2014”

Në Turqi vazhdojnë operacionet dhe hetimet kundër autorëve të akteve të dhunshme të armatosura që njihen si "ngjarjet e 6-8 tetorit" ku u vranë 37 shtetas dhe u plagosën 761 të tjerë

Në Turqi vazhdojnë operacionet dhe hetimet kundër autorëve të akteve të dhunshme të armatosura që njihen si “ngjarjet e 6-8 tetorit” ku u vranë 37 shtetas dhe u plagosën 761 të tjerë, raporton Anadolu Agency (AA).

Këto ngjarje filluan më 6 tetor 2014 në mënyrë të njëkohshme në 131 vendbanime nga terroristët dhe mbështetësit e organizatës si rezultat i udhëzimeve dhe deklaratave nga krerët e organizatës terroriste separatiste PKK/KCK si dhe zgjatimeve politike të organizatës.

Sipas të dhënave që gazetari i AA-së ka përpiluar, Turqia 40 vitet e fundit i ka kaluar duke luftuar kundër sulmeve çnjerëzore të organizatës terroriste PKK/KCK/PYD/YPG.

Organizata terroriste e strukturuar me emrat PJAK në Iran dhe PYD/YPG në Siri, vazhdoi aktivitetet e saj të armatosura dhe ideologjike në Siri, Irak, Iran dhe Turqi.

Organizata hapi territor për veten e saj në Siri duke përdorur në favor të saj zhvillimet ndërkombëtare dhe rajonale në boshllëkun e autoritetit që u formua kryesisht pas luftës së brendshme që filloi në vitin 2011 në Siri. Duke formuar kantone lokale të emërtuara si Afrin, Kobani dhe Al-Jazira, organizata terroriste filloi përpjekjet për të formuar shtet në veri të Sirisë.

Me guximin që mori nga kjo situatë e krijuar në Siri, organizata në drejtim të udhëzimeve të marra nga të ashtuquajturit drejtues të PKK/KCK/PYD/YPG kaloi në veprim me qëllim për të krijuar shtetin terrorist në rajon. Ajo gjithashtu filloi të zbatojë një strategji të re për të dobësuar pavarësinë, për të prishur unitetin e shtetit të Republikës së Turqisë ose për të ndarë një pjesë të territoreve që ndodhen nën sovranitetin e shtetit.

Në kuadër të kësaj strategjie organizata terroriste, në vendbanimet në Anadollin lindor dhe juglindor formoi organizime të reja të ngjashme me kantonet në Siri nën emërtimet Lëvizja Rinore Revolucionare Patriotike (YDG-H), Njësitë e Vetëmbrojtës (ÖSB) dhe Njësitë e Mbrojtjes Civile (YPS) si dhe nga zonat periferike transferoi terroristë në qytete për të mbrojtur këto struktura. Gjithashtu organizata terroriste e cila formoi edhe njësitë e ashtuquajtura të rendit dhe gjykatat u përpoq të formojë territore nën kontrollin e saj brenda kufijve të vendit duke marrë edhe haraç (taksa) nga qytetarët.

Udhëzimi “dilni në rrugë” për terroristët dhe mbështetësit e organizatës

Në kuadër të kësaj situate dhe strategjie të re, përfaqësuesit e organizatës terroriste kryesisht krerët e organizatës terrorsite Abdullah Öcalan, Murat Karayılan dhe Cemil Bayık si dhe zgjatimet e saj politike bënë deklarata të rreme dhe provokative në mënyrë sistematike gjatë periudhës 22 shtator 2014 – 6 tetor 2014 duke ndërlidhur me Turqinë sulmin e organizatës terroriste DEASH në Aynel-Arab (Kobani).

Përfaqësuesit e organizatës terroriste dhe zgjatimet e saj politike, më pas dhanë udhëzime për militantët/terroristët dhe mbështetësit e tyre ideologjikë që të dalin në rrugë kundër Republikës së Turqisë.

Pasi krerët e PKK/KCK/PYD/YPG dhanë udhëzime ndaj anëtarëve të organizatës dhe bënë deklarata, Bordi Qendror Ekzekutiv i Partisë Demokratike të Popujve (HDP) e kryesuar nga bashkëkryetarët Selahattin Demirtaş dhe Figen Yüksekdağ më 6 tetor 2014 bëri një deklaratë me titull: “Thirrje emergjente për popujt tanë” ku u theksua “U bëjmë thirrje popujve tanë që të dalin në rrugë dhe të mbështesin ata që kanë dalë në rrugë për të protestuar qëndrimin e qeverisë së AKP-së për embargo ndaj Kobanit”.

Si rezultat i këtyre deklaratave dhe thirrjeve, më 6 tetor 2014 në shumë vendbanime filluan njëkohësisht ngjarje dhe shteti u përball me aktet e dhunshme të armatosura që u përhapën dhe të cilat në opinionin publik njihen si “ngjarjet e 6-8 tetorit”.

U vranë 37 qytetarë dhe u plagosën 761 të tjerë

Si pasojë e ngjarjeve të përjetuara në 35 komuna dhe 96 provinca, nga terroristët e PKK/KCK/PYD/YPG u masakruan 37 qytetarë, përfshirë Yasin Börü, Hasan Gökguz dhe Ahmet Dakak të cilët po shpërndanin ndihma për Kurban Bajram.

Gjithashtu në ngjarje u plagosën gjithsej 761 qytetarë, përfshirë 326 punonjës të rendit dhe 435 civilë, u dogjën 197 shkolla duke privuar fëmijët nga e drejta e arsimimit dhe transporti arsimor, u shkatërruan 269 ndërtesa publike si dhe u pengua ofrimi i shërbimeve.

Gjithashtu në këto ngjarje u shkel edhe e drejta e pronës pasi u shembën, dogjën ose u grabitën 1.731 shtëpi dhe biznese si dhe u bënë të papërdorshme duke u djegur gjithsej 1.230 automjete prej të cilave 729 civile dhe 501 publike.

Shteti në kuadër të kushtetutës dhe ligjeve siguroi rendin publik duke kryer ndërhyrjen e nevojshme ndaj ngjarjeve Kobani me 6-8 tetor 2014.

Vendimi i arrestimit për 82 dyshuar

Njësitë përkatëse të shtetit kaluan në veprim me qëllim për arrestimin dhe nxjerrjen para gjyqësorit të të gjithë fajtorëve që grabitën, rrënuan, dogjën dhe shkatërruan automjetet dhe ndërtesat, që prishën familjet, që vranë, plagosën njerëzit e pafajshëm, që organizuan dhe drejtuan nëpërmjet udhëzimeve dhe deklaratave ngjarjet dhe të cilët u përfshinë në ngjarjet Kobani të 6-8 tetorit 2014 me qëllimin për të eliminuar sovranitetin e shtetit në kuadër të udhëzimeve dhe strategjisë së organizatës terroriste.

Në këtë drejtim Zyra e hetimit të krimeve terroriste të Prokurorisë së Ankarasë filloi një hetim lidhur me organizatën terroriste separatiste PKK/KCK, për të ashtuquajturit drejtues të organizatës dhe për disa parti dhe drejtues të partive.

Si rezultat i hetimeve në mesin e personave të arrestuar janë të përfshirë edhe Selahattin Demirtaş dhe Figen Yüksekdağ Şenoğlu.

Ndërkohë në kuadër të të njëjtit hetim edhe këtë mëngjes janë dhënë urdhër-arreste të reja ku në hetimin e kryer me qendër Ankaranë kanë filluar arrestimet për të dyshuarit me operacionet e ndërmarra në 7 qytete.