Shtohet kapaciteti 4G. Shpallet fituesi për një brez frekuencash, dy të tjerë në shitje

Vodafone Albania është shpallur zyrtarisht nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, fitues i të drejtave të përdorimit për brezin e frekuencave në 800 megahertz, i cili mundëson rritjen e kapaciteve 4G për kompanitë celulare.

Vodafone Albania është shpallur zyrtarisht nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, fitues i të drejtave të përdorimit për brezin e frekuencave në 800 megahertz, i cili mundëson rritjen e kapaciteve 4G për kompanitë celulare.

Këshilli Drejtues i AKEP-it e ka cilësuar të rregullt të gjithë procedurën e tenderit, të zhvilluar më 7 shkurt. Nga 3 të drejta të nxjera për shitje, Vodafone Albania u tërhoq nga dy gara për dy licenca dhe ofroi një çmim vetëm për një prej tyre. Vlera ishte 7.440.001 euro, vetëm një euro më shumë sesa çmimi dysheme i vendosur, raporton Top Channel.

Ndërkohë, AKEP ka nisur përgatitjet për shpalljen e ankandit të radhës për dy licencat e tjera.

Me të njëjtën vlerë prej rreth 7 milionë e 400 mijë eurosh do të dalin shumë shpejt në shitje, me ankand, edhe të drejtat e dy brezave të tjerë që rrisin kapacitetet 4G. Shuma më e lartë ofruar nga kompanitë private do të jetë kriteri i vetëm për shpalljen e fituesit.

Parametrat teknike të ankandit do të jenë të njëjtë edhe për dy licencat e tjera. Brezi i frekuencave që do të jepet në përdorim përfitohet nga lirimi i transmetimeve analoge të televizoneve. Licencat janë 15-vjeçare. Me marrjen e saj, fituesi duhet që brenda dy muajsh të fillojë shfrytëzimin e brezit të frekuencave 4G.