Si Ballkani i Hapur mund të rezultojë të jetë një ide e keqe

Dr. Hamza Karçiq

Autori është profesor i asociuar në Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin e Sarajevës

Në fund të korrikut 2021, liderët e Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut u takuan në Shkup për të inauguruar një iniciativë të re për rajonin të quajtur “Ballkani i Hapur” (Open Balkan). Objektivi ishte të nxisin bashkëpunimin rajonal në këtë pjesë të Evropës dhe të krijojnë një treg të përbashkët që mundëson lëvizjen e lirë të kapitalit, produkteve, shërbimeve dhe fuqisë punëtore [1].

Si pjesë e nismës, të tre shtetet nënshkruan pesë marrëveshje të reja në dhjetor të vitit të kaluar [2]. Udhëheqësit themelues të Ballkanit të Hapur e shohin këtë bashkëpunim rajonal si një element plotësues dhe jo një alternativë ndaj integrimit në BE [3]. Megjithatë, tre shtete të tjera ballkanike, Bosnja e Hercegovina, Kosova dhe Mali i Zi, kanë hezituar t’i bashkohen këtij projekti. Arsyeja kryesore është se ka shqetësime për qëllimin e vërtetë të Ballkanit të Hapur.

Pse disa janë skeptikë për iniciativën?

Ndërsa disa analistë e përshëndetën iniciativën si të dobishme për rajonin, ekspertë të tjerë si Jasmin Mujanoviq vënë theksin mbi atë se përse vazhdon skepticizmi rreth Ballkanit të Hapur: ambiciet e elitës qeverisëse të Serbisë në rajon. Bosnja e Hercegovina, Kosova dhe Mali i Zi janë të shqetësuar se Ballkani i Hapur është një fasadë për hegjemoninë rajonale të Serbisë. Ideja e “botës serbe”, të cilën me këmbëngulje e mbështet ministri i Brendshëm i Serbisë Aleksandar Vulin, shfaqet si temë me influencë në çdo diskutim për Ballkanin e Hapur. Shumë e shohin këtë botë serbe si një rimishërim të Serbisë së Madhe të viteve 1990, e cila solli gjakderdhje dhe janë të shqetësuar për objektivat reale të Serbisë në rajon [4]. Megjithëse presidenti Aleksandar Vuçiq nuk e ka promovuar këtë ide, ai as nuk e ka hedhur poshtë publikisht deri më tani.

Roli i Rusisë në rajon

Mbështetje e rëndësishme për Ballkanin e Hapur erdhi nga ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov. Pasi tre vende ballkanike mbyllën hapësirën e tyre ajrore, gjë që pengoi vizitën e tij në Beograd, Lavrov deklaroi në një konferencë shtypi në Moskë: “Ata ndoshta nuk donin që ne të shprehnim mbështetjen për iniciativën e Beogradit për të realizuar projektin e Ballkanit të Hapur në interes për ta bërë më të shëndetshëm dhe për të forcuar marrëdhëniet mes të gjitha vendeve të rajonit”.

Ministri i Jashtëm kritikoi gjithashtu BE-në dhe NATO-n për përpjekjen për “ta shndërruar Ballkanin në projektin e tyre të quajtur Ballkani i Mbyllur”. Shumë në rajon e morën mbështetjen e Lavrovit për Ballkanin e Hapur si një shenjë se kundërshtarët e nismës kishin të drejtë që në fillim.

Nga tre shtetet që nuk janë anëtarësuar, Kosova është më hapur kundër, ndërsa kryeministri Albin Kurti refuzoi ftesën për t’u bashkuar në samitin e fundit të Ohrit. Kryeministri i ri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka treguar se edhe vendi i tij mund t’i bashkohet Ballkanit të Hapur. Ndërkohë, Partia Demokratike e Socialistëve mbetet kundër kësaj lëvizjeje.

Asnjë iniciativë rajonale nuk duhet të jetë alternativë ndaj BE-së

Ndërsa bashkëpunimi rajonal, në parim, duhet të jetë fitimprurës për të gjithë, nismat e mëparshme rajonale kanë dështuar të japin rezultate të rëndësishme. Me kaq shumë kundërshtime ndaj Ballkanit të Hapur, është e paqartë nëse një nismë tjetër do të jetë efektive. Tashmë në rajon ka një bindje të gjerë se anëtarësimi i plotë në BE mbetet një synim i largët. Arsyet për këtë janë të shumta dhe të ndryshme, por optimizmi për BE-në që mbizotëronte një dekadë më parë nuk ekziston më. Edhe angazhimet nga liderët kryesorë evropianë merren me rezervë.

Kancelari gjerman Olaf Scholz, për shembull, përfundoi një udhëtim dyditor në Ballkan dhe premtoi të ringjallë perspektivën evropiane të rajonit. Supozojmë se kancelari zbaton premtimin e tij dhe qeveria e tij mbështet anëtarësim në BE të rajonit. Në këtë rast, kjo do të mund të përshpejtonte procesin në agoni të integrimit evropian të Ballkanit. Kjo do të ishte shumë më e dobishme për rajonin sesa mbështetja për iniciativat rajonale.

Në vend që të mbështesin nismat rajonale si Ballkani i Hapur, liderët kryesorë evropianë duhet të përkushtohen për: 1. Fillimin e bisedimeve të anëtarësimit në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut; 2. Dhënia e statusit kandidat për Bosnjë e Hercegovinën; 3. Liberalizimi i vizave dhe statusi kandidat për Kosovën.

Asnjë iniciativë rajonale nuk duhet të jetë alternativë ndaj anëtarësimit në BE. Nëse anëtarësimi i plotë mbetet jashtë tryezës, shtetet e Ballkanit duhet të punojnë për të zhvilluar dhe përmirësuar marrëdhëniet e tyre dypalëshe me fuqitë kryesore globale. Kjo vlen veçanërisht për ndërtimin e lidhjeve të forta me SHBA-në dhe punën për të siguruar një angazhim të fortë amerikan në Ballkan.

Për Bosnjën dhe Kosovën, anëtarësimi në NATO është një objektiv primar, kurse anëtarësimi në NATO mbetet objektivi strategjik më i rëndësishëm pavarësisht se si ecën procesi i integrimit evropian. Bosnja pagoi çmimin më të lartë për pavarësinë e të gjitha shteteve pasardhëse jugosllave, e ndjekur nga Kosova. Nuk është rastësi që këto dy vende hezitojnë t’i bashkohen Ballkanit të Hapur dhe pavarësia e tyre e fituar me vështirësi nuk duhet të rrezikohet duke u bashkuar me nisma me objektiva të dyshimta politike.

[1]https://foreignpolicy.com/2021/08/25/balkans-dont-believe-eu-anymore-albania-macedonia-rama-vucic/

[2]https://balkaninsight.com/2021/12/21/leaders-sign-new-open-balkan-agreements-in-albania/

*Opinionet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht politikën editoriale të Anadolu Agency.