Si po e favorizon kriza pastrimin e parave në bare dhe restorante

Sipas INSTAT, Indeksi i volumit, i Bar-Restorante, tregoi një rënie të fortë prej 55% në tremujorin e dytë, në periudhën e karantinës, ndërsa në të tretin dhe të katërtin, tkurrja ishte përkatësisht 25% dhe 19%.

Rreth 15% e bizneseve në vend janë bare dhe restorante. Në vend ka rreth 13 mijë bare dhe rreth 4 mijë restorante, duke na bërë ndër të parët në botë për numrin e lokaleve në raport me popullsinë. Ky segment ka dhe nivelin më të lartë të vetëpunësimit në vend, me rreth 37% të totalit.

Vetëm sektori i akomodimit dhe shërbimit ushqimor ka 18% të të punësuarve në biznesin e vogël. Pas ulje – ngritjeve në vitin 2020 që kaluan subjektet e shërbimit (baret, restorantet dhe klubet e natës ishin të parët që u mbyllën me shfaqjen e COVID-19 në muajin mars), me hapjen e ekonomisë deri në përfundim të verës, xhiroja e tyre arriti të rikuperohej, por duke mbetur shumw poshtw niveleve tw parakrizws.

Sipas INSTAT, Indeksi i volumit, i Bar-Restorante, tregoi një rënie të fortë prej 55% në tremujorin e dytë, në periudhën e karantinës, ndërsa në të tretin dhe të katërtin, tkurrja ishte përkatësisht 25% dhe 19%.

 

Rënia e xhiros te bizneset e shërbimit të pijeve dhe ushqimeve ka vazhduar edhe në muajt e parë të 2021. Sipas përfaqësuesit të Shoqatës së Bareve, Restoranteve dhe Klubeve z. Enri Jahaj, arsyet kryesore janë rënia e konsumit dhe kufizimi i orarit të lëvizjes deri në orën 20:00.

“Xhiroja e restoranteve është e bazuar vetëm me punën që bëhet në drekë. Pas orës 18:00, të gjithë njerëzit vrapojnë për të shkuar në shtëpi. Me këtë fashë frekuentimi, xhiroja e restoranteve është reduktuar me 50%, ndërsa ajo e bareve dhe kafeneve, 40%. Te baret po ndihet më shumë kufizimi i orarit për konsumin e pijeve alkoolike. Njerëzit i frekuentojnë më shumë baret për pije alkoolike, pas punës dhe në orët e mbrëmjes. Sipas të dhënave zyrtare, rënia e konsumit është reflektuar edhe te tkurrja e importit të alkoolit.

Në anën tjetër, te shpenzimet e konsumatorit ka ndikuar edhe pasiguria e krijuar nga COVID-19. Nëse nga jashtë vërehet se frekuentimi i bareve është i lartë, brenda konsumi është i ulët. Shifrat zyrtare dhe operatorët e kafesë konfirmojnë rënien e importit. Pjesa më e goditur janë klubet e natës, pasi edhe pse janë të mbyllur prej një viti vazhdojnë të paguajnë dritat dhe ujin”.

Kriza nga COVID-19, përveç riskut për falimentime të këtyre strukturave, po favorizon lulëzimin e skemave të pastrimit të parave. Shoqata e Bareve e Restoranteve pohon se mjediset e bareve dhe restoranteve që lirohen nga falimentimi për shkak të pandemisë, po riinvestohen nga të tjerë për pastrimin e parave.

“Çdo ditë mbyllen biznese dhe hapen të reja në struktura të gatshme të bareve dhe restoranteve që merren me qira, në shumë raste, nga persona që duan të riciklojnë paratë (kjo është periudha më e mirë e pastrimit të parave, pasi jemi në prag të zgjedhjeve elektorale dhe mungon kontrolli nga institucionet shtetërore). Hapja e këtyre strukturave të reja nuk është domethënëse dhe mendoj se nuk do ta përmirësojnë gjendjen e sektorit. Rreth 30% e bizneseve ndodhen në zonën gri që mbyllen dhe më pas hapen, pasi merren me qira”, nënvizoi z. Jahaj.

Parashikimet e Shoqatës të Bareve dhe Restoranteve nuk janë optimiste edhe me nisjen e sezonit turistik. Shpresa e vetme për rritje të xhiros mbetet te vaksinimi. “Shumë shtete të Europës kanë subvencionuar me para strukturat e shërbimit, sepse të gjithë po përgatiten të hapen në muajin qershor. Ne, edhe këtë sezon do të nisim pa subvencionim dhe pa mbështetje konkrete nga shteti. Nëse 30-40% e popullsisë nuk vaksinohet, xhiroja në këto struktura edhe për këtë verë do të ketë rënie”. /monitor