Sikur ta dish….!

Nga Evans Drishti

Sikur ta dish se jo shumë larg nga kjo kohë familja ishte më e mbledhur, por në kushte shumë të kufizuara, e megjithatë harmonia s’mungonte… Sikur ta dish se edukimi dhe arsimimi realizohej në kushte tejet të vështira, e megjithatë dëshira s’mungonte… Sikur ta dish se kushtet për një edukim dhe arsimim të mirë në familjet tona s’ishin aspak komode, por zelli dhe dëshira triumfonin … Sikur ta dish se në të ftohtin e acartë e gjithë familja ngrohej me një sobë drush që më tepër të mbyste në tymnajën e sterrtë duke ndotur ajrin e ngushtuar, e megjithatë durimi vijonte… Sikur ta dish se qiriu i ndezur prej orësh të mbyste me erën e tij gërryese, e megjithatë i gëzoheshim dritës shpëtimtare… Sikur ta dish se mundësia për të veshur përherë rroba të ndryshme dhe të larmishme ishte thuajse zero, e megjithatë pastërtia s’mungonte… Sikur ta dish se edhe pse ushqimet qenë të kufizuara nëpërmjet “talonit mujor” gatimet ishin përherë të shijshme nga duart e nënave, të cilave s’u mungonte asnjëherë fjala magjike “Ju lumshin duart!” Sikur ta dish se gryksja që vishnim për uniformë na jepte një kënaqësi tjetër për të kuptuar peshën që kishim si nxënës në shkollë dhe shoqëri dhe asnjëherë s’bezdiseshim nga një paraqitje e tillë… Sikur ta dish se para se të hynim në ambientet e brëndshme të shkollës rreshtoheshim në mënyrë rigoroze për gjimnastikën e mëngjesit, për të vijuar më pas në mënyrë korale betimin e kohës “Gjimonë gati!”, që vinte në emër të ideologjisë së kohës, e ndërsa sot betohemi përpara himnit tonë kombëtar… Sikur ta dish se sa na lodhnin mësimet po aq na gëzonin mësimdhënësit për të na dhënë të kuptonin se jeta ka nuancat dhe ngjyrat e veta, ku secili meriton dhe duhet të jetë diku aty… Sikur ta dish se në atë kohë s’ekzistonte celulari, e ndërkaq ishim më të përkushtuar me plot sinqeritet ndaj vetes dhe njëri-tjetrit, ndaj mësimdhënësit e ndaj lëndës së tij, ndaj gjuhës sonë të bukur shqipe e ndaj vlerave të shqipes… Sikur ta dish se nuk reshtnim së lexuari veprat madhore të kohës, historitë rënqethëse të Migjenit, poezitë e vyera të Naimit, Asdrenit e të sa e sa vlerave kombëtare me synimin e qartë që ta përcillnim brez pas brezi atë trashëgimi ideore dhe kombëtare…

Sikur ta dish se me ç’vrull e përkushtim kërkonim të dinim për historinë e zjarrtë të vendlindjes sonë, të etërve, gjyshërve e stërgjyshërve tanë, për trashëgiminë që ata na lanë, në mënyrë që të kuptonim më së miri identitetin tonë, peshën që mbartnim mbi supe dhe përgjegjësinë që na ishte ngarkuar… Sikur ta dish se ishte një lëndë e veçantë që njihej si “Edukata morale e shoqërore”, ku mësonim dhe kërkonim shtyllat bazë që na bënim të ishim qenie njerëzore me vlera universale, e ndërsa sot janë lëndët e besimit që na e ofrojnë më së miri këtë mundësi … Sikur ta dish se, pavarësisht kushteve e rrethanave të kohës për ndalimin e besimit, gjyshërit tanë u përpoqën me mish e me shpirt të na e ushqenin si një burim frymëzues për një energji të re të shpirtit tonë… Sikur ta dish se festat e kohës nuk kalonin në përgjumje, por me angazhime festive, ku secili merrej ose me mësimin e ndonjë pjese artistike ose me ndonjë interpretim poetik ose me ndonjë fragment apo të dhënë të rëndësishme historike ose përpiqej të sillte pjesë të larmishme nga folklori i vyer shqiptar ose angazhohej me grupin e punës për arrodimin e ambientit dhe krijimin e një atmosfere sa më impresionuese, e të tilla momente na lanë mbresa të pashtershme për gjatë tërë jetës…

Sikur ta dish se paraqitja përpara një edukatori ishte shprehje e formimit tonë dhe e dinjitetit që na u ushqye nga familja dhe shkolla… Sikur ta dish se pavarësisht kushteve dhe vështirësive të kohës ekzistonte edhe një qendër kulturore e quajtur “Shtëpia e pionierit”, ku skalitnim pasionet tona e ku na mundësohej një socializim shembullor… Sikur ta dish se përtej mësimeve të shkollës kishim edhe të ashtëquajtura “Orë prodhuese”, ku angazhoheshim me aktivitet bujqësor në një zonë të caktuar të qytetit dhe ku mësonim akoma më shumë për prodhimet bujqësore dhe vlerat ushqyese të tyre … Sikur ta dish se mezi prisnim të vinin orët laboratorike të “Punës me dru” dhe “Punës me metal”, që na zhvillonin së tepërmi në praktikën e shumë angazhimeve sociale… Sikur ta dish se sa shumë të lidhur ishim me natyrën dhe gjelbërimin, ku zhvillonim edhe lodrat tona të paharrueshme fëmijërore… Sikur ta dish se sa i vlerësonim vizitat që bënim në shtëpitë e shokëve tanë, ku jo vetëm respektoheshim nga familjarët e tyre, por edhe gëzonim përherë emocionet e moshës… Sikur ta dish se në vend të kafeneve të sotme ishin oborret e shtëpive apo rrugicat tona që gumëzhisnin me gazin dhe harenë e vogëlushëve… Sikur ta dish se në vend të lojërave të sotme kompjuterike ishin lojërat amatore kreative si: kukafshehti, rrasavijë, ardibilardi, tek e çift, bizzz.. e ku secila prej tyre jo vetëm na shkathtësonte dhe na jepte një energji të pashtershme, por edhe na formonte në aspektin ideor dhe logjik …

Sikur ta dish se me sa përkushtim uleshim pranë ekranit të televizorit për të ndjekur filmat e kinematografisë shqiptare, teatrot apo skeqet e realizuara me plot energji dhe origjinalitet dhe që i rezistuan kohës për bindjen që sillnin…

Sikur ta dish se “fjala e dhënë” ishte një peshë e rëndë mbi supe, e si e tillë duhej mbajtur për të krijuar një shoqëri besnike dhe të sinqertë… Sikur ta dish se sa të kujdesshëm silleshim në përdorimin e një fjalori sa më etik dhe të kuptueshëm, duke iu shmangur me forcë përdorimit të vulgaritetit, pasi ishim të mirëvetëdijshëm se një fjalor prej vulgariteti nuk na bënte as hero dhe nuk na jepte as forcë për të treguar se kush ishim, përkundrazi e kuptonim se përbënte vetëm një cënim të dinjitetit dhe punës së palodhur të familjeve tona në edukimin tonë…

Sikur ta dish se biblioteka e shkollës ishte ambienti më familjar për nxënësit, të cilët nuk reshtnin të garonin në ngritjen dhe zhvillimin vizionar të tyre …

Sikur ta dish se ardhja e demokracisë nuk nënkupton shfrenimin e ndjenjave individuale apo kapërcimin e kufirit në sjellje, në veprime apo edhe në përcjellje të ideve apo përqafimin e një lirie që cënon të drejtat dhe vlerat e tjetrit duke nisur që nga familja, si bërthama e një shoqërie, e duke vijuar në raportet me shoqërinë, më mësuesit, me njerëzit që të rrethojnë …

Sikur ta dish se ishin një grup të rinjsh ata që iu përveshën punës me plot dëshirë dhe pasion në fillim të viteve 90’ për të ndryshuar një sistem dhe për të sjellë një frymë të re për një emancipim të ri, ku secili prej nesh të gjejë mundësi ta zhvillojë veten…

Sikur ta dish se çdo minutë, çdo orë, çdo ditë, çdo javë, çdo muaj, çdo vit që kalon ësshtë një mundësi e vetme për të kuptuar rolin dhe funksionin që ke aty ku jeton e vepron… Sikur ta dish se edhe shitësi në krye të lagjes apo në market, edhe berberi i lagjes apo i zonës, edhe polici që qëndron në mes të rrugës, edhe mjeku apo infermeri, edhe personi që merret me servise të gatimeve të ndryshme, edhe mjeshtri i një zanati të caktuar, secili prej tyre është një qenie njerëzore që ka sakrifikuar dhe sakrifikon për të ofruar një shërbim sa më dinjitoz për ty, për shoqërinë tënde dhe për të gjithë ne… Sikur ta dish se ç’përgjegjësi mbartim mbi supe secili prej nesh për të çuar në vend detyrimet më bazike të jetës s’do na zinte as gjumi i natës…

Lajme të ngjashme