Sipas studimit ushtrimet fizike të tepërta e lodhin trurin dhe na bëjnë më impulsivë

Studimi sugjeron një lidhje midis sforcimit fizik dhe atij mendor. Arsyet e kësaj lidhje, shpjegohen me faktin që si sforcimi fizik ashtu edhe ai mendor, kërkojnë një kontroll njohës.

Ecja, vrapimi, noti, çdo lloj sporti apo aktiviteti fizik, i bën mirë trupin tonë, dhe zvogëlon me gati 30 për qind vdekshmërinë nga thuajse të gjitha shkaqet. Gjithsesi, nga ana tjetër një aktivitet fizik i tepruar, mund të vuajë jo vetëm trupi por edhe mendja jonë.

Një studim francez i botuar së fundmi në revistën “Current Biology”, tregon se në rastin e një aktiviteti fizik shumë intensiv dhe të zgjatur në kohë, siç është ai i një sporti tejet konkurrues, truri fillon të reagojë negativisht, përsa i përket aktivitetit të zvogëluar të disa qarqeve nervore.

Me fjalë të tjera, truri lodhet, dhe ka një performancë konjitive të zvogëluar. Rezultati është frut i një hulumtimi të koordinuar nga Grupi Spitalor Pitié-Salpêtrière në Paris, së bashku me Universitetin e Sorbonës dhe institucione të tjera. Ideja e studimit të shenjave të lodhjes fizike në tru, erdhi nga ekspertët e Institutit Kombëtar të Sportit, Ekspertizës dhe Performancës (INSEP), njëra nga qendrat ku sportistët francezë përgatiten për Lojërat Olimpike.

Disa sportistë, raportuan “sindromën e stërvitjes së tepruar”, duke shfaqur ndjesinë e lodhjes së jashtëzakonshme, që sillte edhe rënien e performancës së tyre sportive. Studiuesit ngritën pyetjen, nëse ky problem mund të vijë pjesërisht nga një lodhje cerebrale, e dukshme nga vëzhgimi i imtësishëm i aktivitetit të neuroneve.

Për të kërkuar gjurmë të lodhjes në tru, autorët morën tek atletët imazhe të rezonancës magnetike (fMRI), dhe teste të sjelljes tek atletet që ishin stërvitur shumë. Ata përfshinë në studim 37 atletë në një nivel konkurrues, me një moshë mesatare 35-vjeçare. Pjesëmarrësit u ndanë në dy grupe, ku secili do të rriste me 40 për qind kohëzgjatjen e stërvitjes për çdo seancë, gjatë një periudhe 3-javore.

Gjatë gjithë kësaj kohe, shkencëtarët vlerësuan nivelin e performancës fizike dhe njohëse të pjesëmarrësve, kombinuar me ekzaminimet e FMRI. Në përgjithësi, atletët të cilëve u ishte kërkuar të bënin më shumë stërvitje, treguan shenja më të mëdha lodhjeje, përfshirë ato njohëse.

Në veçanti, gjatë një testi për të vlerësuar se si ata do të bënin zgjedhje ekonomike, atletët e treguan veten më impulsivë, duke preferuar shpërblime më të vogla por të menjëhershme ekonomike, në krahasim me shpërblime më të larta, që do të vinin më vonë.

Më pas rezonanca, zbuloi se aktivizimi i korteksit paraballot në pjesën anësore të trurit, ishte zvogëluar në krahasim me atletët që kishin bërë më pak stërvitje. Ky rajon i trurit, luan një rol thelbësor në aftësinë për të kontrolluar impulset, mendimet dhe veprimet, në mënyrë që të arrijmë qëllime të përcaktuara, por edhe tek përqendrimi dhe aftësitë e tjera njohëse-emocionale.

Por, studimi sugjeron një lidhje midis sforcimit fizik dhe atij mendor. Arsyet e kësaj lidhje, shpjegohen me faktin që si sforcimi fizik ashtu edhe ai mendor, kërkojnë një kontroll njohës.

Për shembull kur merreni me sport, ky lloj kontrolli shërben për të ruajtur performancën fizike, me synim arritjen e objektivave.

Sipas autorëve një aspekt tjetër interesant, është fakti që zgjedhjet tona, madje edhe ato financiare, ndryshojnë sipas nivelit të lodhjes së trurit. Ky rezultat sugjeron rëndësinë e kontrollit të nivelit të lodhjes, në situatat kur duhen marrë vendime të rëndësishme, në fushën ekonomike, gjyqësore, politike, mjekësore etj. /CNA.al