Siri, 183 civilë të vrarë nga regjimi i Asadit dhe aleatët në Idlib për më pak se një muaj

Në mesin e 183 mijë civilëve të vrarë gjatë sulmeve nga 12 janari, kur u shpall armëpushimi i fundit, gjenden 52 fëmijë dhe 30 gra, njoftoi Rrjeti Sirian i të Drejtave të Njeriut (SNHR)

Gjithsej 183 mijë civilë kanë humbur jetën në rajonin e Idlibit në Sirinë veriore nga sulmet e regjimit të Bashar al-Asadit, grupeve terroriste të mbështetura nga Irani dhe Rusisë që nga shpallja e armëpushimit më 12 janar, njoftoi Rrjeti Sirian i të Drejtave të Njeriut (SNHR), transmeton Anadolu Agency (AA).

SNHR, organizatë e cila dokumenton shkeljet e të drejtave të njeriut gjatë luftës civile në Siri, ka përgatitur raportim lidhur me civilët e vdekur nga sulmet e regjimit të Asadit, grupeve terroriste të mbështetura nga Irani dhe Rusisë në Idlib, rajon i cili më parë është shpallur zonë deeskalimi ku aktet e agresionit duhet të jenë të ndaluara.

Sipas raportit të siguruar nga gazetari i AA-së, në mesin e 183 mijë civilëve të vrarë gjatë këtyre sulmeve, gjenden 52 fëmijë dhe 30 gra.

Raporti thekson se 68 civilë, përfshirë 12 fëmijë dhe shtatë gra, kanë humbur jetën nga sulmet e forcave të regjimit dhe grupeve të mbështetura nga Irani, prej të cilëve 59 në Idlib dhe nëntë në Halep, disa pjesë të të cilit po ashtu gjenden brenda zonës së deeskalimit.

Ndërkaq, 115 civilë, përfshirë 56 në Idlib dhe 59 në Halep, kanë humbur jetën nga sulmet e aleatit të regjimit sirian, Rusisë. Prej tyre, 40 kanë qenë fëmijë dhe 23 gra.

Sipas raportit, gjatë sulmeve janë shënjestruar objekte shëndetësore, qendra arsimore dhe qendra të mbrojtjes civile (Helmetat e Bardha).

Aktualisht, Idlibi është shtëpi e rreth katër milionë civilëve, përfshirë qindra mijëra të shpërngulur viteve të fundit nga sulmet e forcave të regjimit.

Në muajin shtator të vitit 2018, Turqia dhe Rusia u pajtuan për ta kthyer Idlibin në një zonë deeskalimi ku aktet e agresionit janë të ndaluara.

Megjithatë, regjimi sirian dhe aleatët e tij në vazhdimësi kanë thyer kushtet e armëpushimit, përfshirë atë të fundit që filloi më 12 janar, duke kryer sulme të shpeshta brenda zonës dhe duke vrarë të paktën 1.800 civilë që nga arritja e marrëveshjes.