Skandali i pagërrjedhjes, punonjës të shtetit shitën të dhënat për kompanitë private

Dy nga të arrestuarit për skandalin e pagërrjedhjes janë punonjës në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, ndërsa dy personat e tjerë janë punonjës të sektorit privat.

Kryeprokurorja e Tiranës, Elisabeta Imeraj deklaroi se specialistja e IT-së, Eni Qirjako i ka çuar të dhënat kolegut të saj, Andi Agarajt i cili ka shfrytëzuar marrjen e të dhënave në mënyrë të paautorizuar dhe ka arritur që këto të dhëna tua shesë kundrejt pagesës subjekteve private. Blerësit e arrestuar që punojnë në sektorin privat janë Klodian Sota dhe Endri Ikonomi.

“Si rezultat i hetimit paraprak kemi arritur të zbulojmë dhe evidentojmë deri në këto momente katër autorë të ngjarjes ku dy prej tyre janë punonjës në strukturat përkatëse të shtetit dhe konkretisht në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve me punonjës me detyrat specifike si punonjës IT-je, nga të cilët ka dyshime të arsyeshme të bazuara në prova që kanë rrjedhur të dhënat personale me natyre sensitive dhe konkretisht pagat e disa muajve,” – u shpreh Imeraj.

Kryeprokurorja e Tiranës sqaroi se nuk kemi të bëjmë me ndërhyrje në rrjetin kompjuterik por me punonjës që kanë shpërdoruar detyrën.