Solli në jetë foshnje me gjene të modifikuara, dënohet me 3 vite burg shkencëtari

Një shkencëtar në Kinë që pretendoi krijimin e foshnjave të para në botë me gjene të modifikuara është dënuar me 3 vite burg.

He Jiankui u dënua për shkelje të urdhrit të qeverisë duke kryer eksperimentet e veta mbi embrionet njerëzore, në përpjekje që foshnjat të mos merrnin virusin HIV, shkruan Ora News.

Ai i zemëroi të gjithë kur njoftoi eksperimentet e tij dhe lindjen e vajzave binjake me gjene të modifikuara, nëntorin e kaluar.

Agjensia e lajmeve Xinhua tha se një fëmijë i tretë ka lindur në të njëjtën kohë, i cili nuk ishte konfirmuar më parë.

Qeveria tha se po i mban foshnjat nën vëzhgim mjekësor.

Përveç dënimit me burg ai u gjobit me 430.000 dollarë. Gjykata gjithashtu dha dënime më të ulëta për dy burra të tjerë, Zhang Renli dhe Qin Jinzhou, për komplotin me He për të kryer eksperimentet.

Një gjykatë në Shenzhen tha se ata vepruan në ndjekje të famës personale dhe fitimit  dhe se shkelën seriozisht urdhrin mjekësor.

“Ata kapërcyen fazën e fundit të etikës në kërkimin shkencor dhe mjekësor,”- shtoi gjykata.