Sot fluturimi i fundit i Alitalia

Alitalia ul siparët. Ky version i Alitalia-s. Pas falimentimit të investitorëve italianë privatë dhe miliarderëve nga Emiratet, pas negociatave të dështuara me linja ajrore që do të ndryshonin rrjedhën e historisë dhe një ushtri me komisionerë, linja ajrore trengjyrëshe ul sonte siparin, pas 1627 ditë administrimi të jashtëzakonshëm (dhe 1.8 miliardë euro para publike) duke lënë pas një mal me dosje ende të hapura.

Por elementet e saj dalluese do të rishfaqen disa orë më vonë, nëpërmjet një kompanie tjetër publike, Italia Trasporti Aereo (ITA), e cila do të përdore të njëjtët aeroplanë, të njëjtat uniforma, të njëjtin kod fluturimi, të njëjtin identifikim biletash dhe, me shumë gjasa, të njëjtën markë trengjyrëshe. Ditët e fundit, Alitalia ka marrë ofendime nga udhëtarët për fluturimet e anuluara dhe postime të shumta emocionale nga punonjësit, por edhe nga pasagjerët.

Fluturimi i fundit

Fluturimi i fundit “Alitalia-Sai in a.s.” AZ1586 parashikohet sot, e enjte 14 tetor, me nisje nga Cagliari në orën 22.05 dhe mbërritje në Aeroportin e Fiumicino-s në Romë, në orën 23:10 – me 177 pasagjerë në avion, nën drejtimin e komandantit Andrea Gioia. Ky do të jetë edhe udhëtimi i fundit i vazhdimësisë territoriale në Sardenjë. Në shtatë muajt e ardhshëm, fluturimet midis Cagliari, Olbia, Alghero e Milano dhe Romë do të kryhen nga linja ajrore low cost spanjolle Volotea, e cila fitoi sfidën duke propozuar çmimet më të ulëta.

Nëse në kryeqytet, Alitalia do të mbyllet përfundimisht (me 10.500 punonjësit e saj), në Milano do të hapet ITA (Italia Trasporto Aereo S.p.A., kompani e re italiane në pronësi të shtetit). Fluturimi i parë parashikohet nesër,15 tetor, në orën 6:20 me fluturimin AZ1637 Linate-Bari. Mbetemi në pritje të kuptojmë se çfarë do të ndodhë me markën Alitalia, e cila është e pranishme në 51 avionë të tjerë, që kompania e re do t’ia marrë në pronësi së vjetrës.

 

AlItalia kishte 6% të tregut të fluturimeve në Shqipëri

“Alitalia” prej vitesh operon dhe në tregun shqiptar, por pesha e saj ka rënë ndjeshëm vitet e fundit. Nga 32% në 2015-n (më i madhi pas daljes nga tregu të “Belle Air”), në vitin 2020, përmes operatorit ajror italian u realizuan vetëm 6% e fluturimeve, sipas të dhënave zyrtare nga Tirana International Airport.

/Corriere della Sera