Sot mbledhja e qeverive Shqipëri – Kosovë në Prishtinë

Sot në Prishtinë do të zhvillohet mbledhja e dy qeverive Shqipëri-Kosovë.

Takimi që do të drejtohet nga kryeministri Edi Rama dhe ai i Kosovës, Albin Kurti do të finalizohet me nënshkrimin e disa marrëveshjeve.

Kjo do të jetë mbledhja e tetë e dy qeverive, teksa e fundit u mbajt në fund të muajit nëntor të vitit të kaluar.

Kryeministri Edi Rama dhe një pjesë e ministrave mbërritën ditën e dielë në Kosovë. Ata vizituan disa nga bizneset kryesore të eksportit të mallrave në Shqipëri.

Gjatë vizitës, Rama deklaroi se Shqipëria do të heqë tarifat doganore për mallrat që vijnë nga Kosova.

“Ne jemi në një fazë të avancuar për të hequr plotësisht të gjitha tarifat doganore për të gjitha mallrat që vijnë nga Kosova në drejtim të Shqipërisë. Janë barriera të panevojshme. Impakti i tyre financiar është më pak i rëndësishëm për ne si shtet, se sa lehtësia që duhet t’i krijojmë të gjithë atyre që eksportojnë drejt Shqipërisë”, tha kreu i qeverisë.

Pasditen e djeshme, kryeministri Rama vizitoi dhe familjen e ish-presidentit Hashim Thaçi.