Sot raundi i dytë i zgjedhjeve në 21 komuna të Kosovës

Sot zhvillohet raundi i dytë i zgjedhjeve lokale në Kosovë, ku 1.260.571 votues pritet t’i drejtohen kutive të votimit.

Nga 38 komuna, qytetarët e 21 prej tyre po u drejtohen sërish kutive të votimit për të zgjedhur kryetarin e komunës, në mes dy kandidatëve më të votuar në raundin e parë.

Ata do të kenë mundësinë të votojnë në 575 qendra të votimit me 1.638 vendvotime. KQZ në Kosovë ka bërë të gjithë furnizimin me materiale zgjedhore në të gjitha komunat, ku janë shpërndarë të gjitha materialet zgjedhore me datën 10 dhe 11 nëntor. Ndërsa, dje janë dërguar edhe të gjitha materialet e ndjeshme.

Në të gjitha komunat ku do të ketë garë të dytë për të zgjedhur të parin e komunës, janë 114 ekipe mobile të cilët do t’iu mundësojnë qytetarëve votimin.

Po ashtu, Zyra për Regjistrimin e Partive Politike në KQZ ka bërë të ditur se raundin e dytë të zgjedhjeve do ta monitorojnë 10.510 vëzhgues.Procesi i pranimit të votave nga diaspora ka përfunduar dhe vlerësimi i tyre do të fillojë sot.

Partitë politike në Kosovë mbyllën të premten fushatën pesëditore për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale.

Partia që garon në numrin më të madh të komunave për balotazh është Lëvizja Vetëvendosje me gjithsej 12 komuna.

Komunat ku do të mbahen zgjedhjet për balotazh: Prishtina, Prizreni, Gjakova, Gjilani, Podujeva, Kamenica, Drenasi, Dragashi, Istogu, Kaçaniku, Klina, Fushë-Kosova, Obiliqi, Rahoveci, Shtimja, Vitia, Vushtrria, Malisheva, Juniku, Mamusha dhe Kllokoti.