Soylu: Turqia do të deportojë terroristët e DEASH-it në vendet e origjinës

Ministri i Brendshëm i Turqisë tha se në burgjet turke aktualisht ndodhen afër 1.200 terroristë të DEASH-it që janë shtetas të huaj

Ministri i Brendshëm i Turqisë, Sülejman Soylu, ka thënë se Turqia do të dëbojë terroristët e arrestuar të DEASH-it në vendet e tyre, pavarësisht nëse vendet e origjinës së tyre ua marrin shtetësinë, raporton Anadolu Agency (AA).

Soylu në Ankara deklaroi se aktualisht ka afër 1.200 terroristë të DEASH-it në burgjet turke, dhe se 287 anëtarë të organizatës terroriste DEASH janë arrestuar gjatë operacionit të fundit në verilindje të Sirisë, kurse në mesin e tyre ka më shumë gra dhe fëmijë.

“Të gjithë terroristët që janë të burgosur janë shtetas të huaj. Në të njëjtën kohë, kemi terroristë që presin deportimin në qendrat përkatëse. Këta janë të gjithë terroristë që kanë hyrë në Turqi në mënyrë të paligjshme dhe janë arrestuar në operacionet e forcave tona të sigurisë. Të arrestuarit pasi të ndiqen penalisht dërgohen në burgje ose qendra të dëbimit”, tha Soylu.

Ministri turk Soylu tha gjithashtu se të gjithë terroristët e DEASH-it do të deportohen në vendet nga kanë ardhur në Turqi.

Ai dënoi dhe i konsideroi si të papranueshme deklaratat e liderëve të disa vendeve evropiane të cilët paralajmëruan se do t’ua tërhiqnin shtetësitë terroristëve të DAESH-it, në mënyrë që të mos i marrin prapa dhe të gjykohen në vendet ku u arrestuan.

“Ky ndoshta është një ligj i ri ndërkombëtar. Disa vende po përpiqen të krijojnë një jurisprudencë të re që nuk është në përputhje me normat ekzistuese. Kjo është e papranueshme dhe të mos brengosen sepse të gjithë terroristët që kemi kapur do t’ua kthejmë vendeve nga kanë ardhur, pavarsisht nëse atyre ndokush ua merr shtetësinë”, ka thënë Soylu.