SPAK dërgon për gjykim dosjen e tenderit të uniformave të policisë

SPAK ka mbyllur hetimet për 10 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Ministrisë së Brendshme dhe ka dërguar për gjykim dosjen e tenderit të uniformave të policisë.

Nga hetimi kanë rezultuar veprime të kundërligjshme të bëra nga: titullari i Organit Qendror Blerës, Drejtor i Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara, Edlira Naqellari, në bashkëpunim me anëtarët e Njësisë së Prokurimit F.Ç.; A.B.; A.O.; K.H.; A.M.; si dhe anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave K.B.; F.D.; M.B. dhe G.M., të cilët, në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik, kanë favorizuar bashkimin e subjekteve juridike të shpallura fituese në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik, duke sjellë si pasojë cenimin e lirisë së pjesëmarrësve në tenderë dhe krijimin e avantazheve të padrejta për palët e treta, thuhet në njoftimin e SPAK.

Nëntë zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Ministrisë së Brendshme u arrestuan tre muaj më parë pas një operacioni të udhëhequr nga SPAK lidhur me abuzimet për tenderin e uniformave të policisë, vlera e të cilit arrin në 25 milionë euro.

SPAK ushtroi kontrolle në banesa e zyra të personave të dyshuar për abuzime me prokurimet publike lidhur me tenderin e vitit 2020, në përfundim të të cilave u arrestuan anëtarët e Njësisë së Prokurimit Flutura Çekrezi, Ani Omuri, Kleviz Hasani. Në burg ndodhen dhe anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Kreshnik Bejkaj, Fatmir Femneri, Mariglen Buzali, Gëzim Mingaj.

Ata në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me drejtoreshën e Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara Edlira Naqellari, të shkarkuar në 1 korrik nga ministri i Brendshëm Bledi Çuçi akuzohen se kanë shkelur rregullat e prokurimit publik, barazinë në tenderë dhe kanë shkaktuar dëm ekonomik ndaj shtetit.