Spanja kthesë e papritur për Kosovën, deputetët: Shtet i plotë, sovran e legjitim!

Spanja është një nga pesë vendet e Bashkimit Europian që ka refuzuar ta njohë pavarësinë e Kosovës, por së fundi edhe prej saj ka shenja se dicka e tillë mund të ndryshojë.

Dy deputetë të Dhomës së Ulët të parlamentit spanjoll i bënë haptazi thirrje kryeministrit Pedro Sanchez të pranojë se Kosova është shtet i pavarur. Ligjvënësi Aitor Esteban tha se Spanja nuk duhet t`i frikësohet ndarjeve të saj.

“Cfarë ka për të ndodhur, do të ndodhë”,  shpreh ai duke iu referuar kërkesave të vazhdueshme për pavarësi të Katalonjës dhe rajonit Bask.

“Sa i përket Kosovës, nuk ka mbetur vecse ta njihni tashmë”, shtoi ai, ndërsa akuzoi Serbinë se nuk e ka mbajtur fjalën për ndjekjen e krimineleve të luftës. Nga ana tjetër, edhe deputetja Mertxe Aizpurua, foli për të njëjtën cështje duke e cilësuar si “të shëmtuar” fjalimin Sanchezit “që i përmendi të gjitha shtetet e Ballkanit, përveç Kosovës”.

“Është koha për ta njohur sovranitetin dhe legjitimitetin e Kosovës si shtet i plotë. Sepse është shtet i dalë nga dëshira e popullit. Nuk duhet t’ia kthejmë shpinën demokracisë apo vendimit të publikut, as për Ballkanin, as për këtë shtet”, deklaroi ajo.