Studimi amerikan: Rreziku për t’u infektuar me Covid në aeroplanë është i ulët nëse përdorni maska

Udhëtarët më të ekspozuar ndaj personit të infektuar, ishin ata që ndodheshin para, prapa apo në krah të të infektuarit.

Nëse po pyesni se sa e sigurt është të fluturoni në këto kohë, rezultati i këtij studimi mund t’iu qetësojë.

Rreziku i ekspozimit ndaj koronavirusit në fluturime është shumë i ulët nëse pasagjerët mbajnë maska, sipas një studimi të kryer nga Departamenti i Mbrojtjes të Shteteve të Bashkura të Amerikës, publikuar të enjten.

Studiuesit duke përdorur sensorë dhe gjurmues fluoreshentë matën vëllimin e grimcave të ajrit të lëshuar nga një person i infektuar që merr frymë normalisht.

Udhëtarët më të ekspozuar ndaj personit të infektuar, ishin ata që ndodheshin para, prapa apo në krah të të infektuarit.

Studimi arriti në përfundimin se 99.7 për qind e grimcave të Covid u filtruan nga sistemet e sofistikuara të ventilimit në aeroplanë brenda gjashtë minutash para se të arrinin te pasagjerët ulur afër të prekurit me Covid-19.

Duke u zgjeruar për në 40 vendet më të afërta me personin e infektuar, shkalla e eliminimit ishte 99.99 për qind, tha studimi.

Rezultatet i shtynë zyrtarët e transportit ushtarak amerikan të konkludojnë se edhe në një aeroplan të plotë, niveli i transmetimit mbi 12 orë fluturimi ishte i papërfillshëm.

Rreth 300 teste provë u kryen në tokë dhe gjatë fluturimit për tetë ditë radhazi në muajin gusht, në një bashkëpunim mes “United Airlines” dhe avionëve Boeing 767 dhe 777.

Sidoqoftë, testet morën në konsideratë vetëm një skenar që përfshin një pasagjer të vetëm të infektuar. Ata gjithashtu supozuan se të gjithë në aeroplan mbanin një maskë vazhdimisht dhe nuk adresuan një skenar në të cilin një person i infektuar lëviz nëpër kabinën e avionit.

“Ndërsa testet patën disa kufizime, rezultatet janë inkurajuese”, tha komandanti Joseph Pope, koordinatori i drejtorisë së operacioneve të Komandës së Transportit të Shteteve të Bashkuara (USTRANSCOM) për studimin./AFP