Ta ndajme krimin nga pushteti politik!

Nga Redi Shehu

Është e menjëhershme, por edhe tërësisht e natyrshme, që me të marrë vesh për krimet monstruoze të cilat shpesh ngjyrosin asfaltin tonë elektoral, të të aktivizohet instikti i shpagimit si një sedativ për vendosjen e gjërave në vendin e duhur. Kjo sepse është në natyrën njerëzore që padrejtësia të zërë një vend të përkohshëm në kornizën e botëkuptimit të secilit, ndaj dhe individi rend me instiktin dhe imagjinatën e tij drejt hakmarrjes ndaj burimit që shkaktoi padrejtësinë. Prandaj, pas çdo lajmi mbi kriminelë të cilët vrasin gra të pafajshme, apo mbysin njerëz për t’u zhvatur pasurinë, a për vrasje makabre për hiçgjë, është e natyrshme që audienca të tërheqë këmbëzën e vet imagjinare për të marrë atë hakun e munguar ndaj shkaktarëve, të cilët bredhin lirshëm si pasojë e qindra yçklave që sistemi i drejtësisë kujdeset që kurrë të mos i harrojë.

Krimet e javëve të fundit janë renditur në formë progresive si trofe anarkie ndaj organeve të ruajtjes e mirëmbajtjes së rendit publik. Shtimi i tyre me ritme të frikshme nga një segment i shoqërisë që “trimërinë” e vet e aktivizon vetëm gjatë lulëzimit të kaosit për punë të cilat në thelb janë të dobëta, dhe këtë trimëri nuk e aktualizon aspak gjatë mbretërimit të rregullit dhe rendit shoqëror, ka zbehur kriterin e besueshmërisë së qytetarit ndaj mjedisit publik në të cilin ai ka vendosur të shpenzojë orët e jetës së tij. Të lodhur tashmë nga psikologjia dhe metodologjia e “task force”-s, të një iniciative mediokre që merr udhë vetëm në situatë pasiviteti dhe jo parandalimi, çdokush ka të drejtën e natyrshme t’i bëjë pyetje vetes lidhur me atë se çfarë qëndrimi duhet të mbajë secili, nën petkun e anëtarit të thjeshtë të shoqërisë, për të kontribuar në përmirësimin e gjendjes. Të pashpresë në të drejtën e tyre demokratike, qytetarët duhet vetëm të zgjedhin poltronin e radhës për t’u ulur e për të soditur fatkeqësinë e disatë në rendin kohor të gjërave, e cila kthehet e rikthehet si produkt elektoral i një sistemi që kurrë nuk mori përsipër të përfaqësojë direkt interesat e tyre.

Në fakt, ky qe telashi më i madh që i hapi vetes Shqipëria në lidhje me rendin shoqëror, e cila, e ardhur nga një mjedis dhe kulturë e mangët e jetës në liri, si pasojë e ndrydhjes në një burg të madh ndërgjegjeje gjysmëshekullor, shpërtheu në jetën e lirë pa norma dhe pa moral shoqëror të mirëkonsoliduar. Duke shtuar dhe sterilitetin fetar, i cili është një përbërës domethënës në nxitjen dhe përkeqësimin e kriterit moral, vrasja, dëmtimi i pronës dhe cenimi i dinjitetit të tjetrit nuk u konsideruan publikisht si sakrilegj që duhet shpaguar, por si fenomene të cilat duhej të riparoheshin me gjuhën e ligjit. Të një ligji që kriminelit i jepte mundësinë të jetonte pas bërjes së një krimi të rëndë, në emër të të drejtave të individit (të atij të gjallë, por jo të atij të vdekur tashmë).

Asnjë nga forcat politike në Shqipëri të mos luajë rolin e puritanit, sepse të gjithëve u ka pëlqyer nakatosja me njerëzit e fortë. Ky është tipar i parashoqërive politike, dhe parademokratike ku shteti nuk është parë asnjëherë si mjeti i cili rregullon gjërat. Pikërisht në këto lloj parashoqërish, fisi, të fortët, grupet e ndryshme kriminale, janë praktikisht proçedura më efikase në ndërtimin e një rrjeti funksional për të garantuar fuqinë. Në fakt, sot ndarja politike dhe administrative e pushtetit është një ndarje mes fuqisë së krahëve të armatosur. Aq sa janë koalicionet politike apo grupet parlamentare, aq në proporcion janë edhe “parlamentet” e të fortëve, të cilët të padukshëm garantojnë fuqinë reale të politikës dhe aftësinë e saj negociuese me palët e tjera.

Tani, diskursi politik mbi kriminalizimin e politikës nuk është një diskurs midis të pastërtëve të cilët duan t’ua tregojnë vendin të pistëve në politikë. Diskursi sot është një diskurs midis palësh të pista për të përcaktuar se cili prej tyre është më i ndoturi ndër ta. Në këtë pikë është krejtësisht e pamendueshme që të pistët të prodhojnë pastërti. Maksimumi që mund të bëjnë është që të ndryshojnë metodat e të bërit pis, por ama retorika politike mbi ndershmëri dhe lidhje me krimin është veçse mjet për ta ndërtuar përplasjen politike në funksion të pushtetit të ardhshëm.Pra, nëse kemi një situatë të tillë kriminale, faji nuk është vetëm i njërës palë por i të gjithë “florës dhe faunës” politike e cila ishte kaq pjellore në ndërtimin e një dëshpërimi të tillë dhe mosbesimi në raport me shtetin dhe strukturat e tij.

Korrupsioni në radhët e policisë dhe lidhjet e tij me krimin, ka qenë një këngë e kahershme që është kënduar në të gjitha administratat sa kohë që ne jemi njerëz që flasim lirë në këtë vend. Problemi është se qeveria socialiste e ka bërë aq bajate punën, sa disa të inkriminuar të tjerë ngrihen e flasin në emër të “virgjërisë”. Problemi nuk është te ajo se cila parti është e lidhur me bandat. Të gjitha kanë qenë, përfshirë edhe LSI-në. Masa e lidhjes së partive me bandat mund të shihet në raport me masën që këta parti kanë me votën. Sa më e madhe vota e partive, aq më e madhe lidhja me bandat. Pandaj artikulimi anti-krim sot nuk është në të vërtetë anti-socialist, por në thelb anti-pozitë. Kështu ka qenë edhe artikulimi i opozitës së atëhershme socialiste që akuzonte qeverinë Berisha për lidhjet e saj me krimin e po kështu akuzat e opozitë së Berishës për pozitën e atëhershme të Nanos me grupin e “Dukës së krimit”, apo të “Klanit të Zemunit”.

Ajo që duhet të kuptojmë është se krimi dhe politika, ose më mirë krimi dhe pushteti, më shumë se në çdo vend, në Shqipëri janë projektuar si një binom i pandarë. Diskutimi sot nuk duhet të jetë se cila parti kështu dhe cila parti ashtu. Diskutimi duhet të jetë se si mund ta ndajmë ne krimin nga pushteti politik. Por këtë ama nuk mund ta bëjnë pushtete të cilat janë të kapura nga krimi dhe këtu ja ku jemi në rrethin vicioz i cili na gëlltit të tërëve dhe ndodhemi në situatën qesharake ku politika dhe politikanët përsërisin veten për të pafundmen herë, me të njëjtin patos dhe aktrim.