Tabaku: 3 ministra sot duhet të ishin nën hetim, së shpejti do të bëjmë publik informacionin që ka ardhur në PD. “Open Balkan”? Protagonizëm i Ramës!

Nënkryetarja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku, tha se së shpejti do të publikohen informacioni që nuk janë publikuar më parë në lidhje me 3 çështjet për të cilat janë ngritur edhe komisionet hetimore. E ftuar në “Kjo Javë” me Nisida Tufën, Tabaku tha se duke parë informacionet është për të ardhur keq qe drejtësia e re nuk ka vepruar.

“Unë kam hequr dorë së korrigjuari qeverinë por alternativën tonë për qytetarët do ta japim. PD është aset kombëtar dhe këtë e kemi treguar. Parlamenti është një hapësirë për të thënë fjalën tonë dhe për të bërë atë që shumë insituticione nuk e kanë bërë. Të tre komisionet hetimore janë për të treguar se përgjegjësit që janë autorët e masakrës elektorale dhe atë në buxhet sot na qeverisin. Besoj që informacioni që ne kemi dhe ai që ka ardhur në PD për të treja çështjet që nuk është bërë publik dhe është fatkeqësi që drejtësia e re nuk ka marrë masa”- tha ajo.

Më tej ajo ka folur edhe për SPAK për të cilin tha se po lëviz ngadalë duke shprehur dëshirën që ta shikonte atë me doje të mëdha.

“Unë kam një pikëpyetje të madhe për arrestimet e SPAK-ut. Sa herë që ia merr një iniciativë personi nuk është më në detyrë, ndodhi me uniformat, ndodhi me RTSH-në. Duket se kushdo që është në qeveri ka informacion për personat e përfshirë. Ndjej keqardhje që kur presidenti pyeti anëtarët e qeverisë nëse është ndonjëri në hetim ndërkohë që të paktën 3 perona që janë ulur në kabinetin e qeveritar duhet të ishin në hetim sipas informacioneve që kemi për aferën e incerneratorëve dhe atë zgjedhore. SPAK po lëviz ngadalë, po lëviz pak dhe duket se po lëviz aty ku nuk prish punë. Doja që ta shihja SPAK me dosje të mëdha, dosjet e zgjedhjeve”- tha ajo.

Në fund si kryetare e komisionit të integrimit në PD, Tabaku tha se Shqipëria nuk mund të marrë një iniciativë në të cilën nuk është Kosova, referuar “Open Balkan”.

“Kjo është diçka që shikohet më gjerë se Shqipëria. Kjo ka të bëjë me protagonizmin e Ramës në mungesë të rezultateve. Për PD-në nuk ka proces integrimi të Ballkanit Perëndimor nëse nuk do të jetë i gjithë ballkani bashkë. Kemi qenë vëllai i madh i Kosovës dhe nuk mund të marrim pjesë në një iniciativë ku nuk është ajo. Vlerë do të ishte të ishim të gjithë. Procesi i integrimit e ka humbur vlerën tek qytetarët por nuk ka asnjë rrugë tjetër. Vlera e këtij procesi nuk është procesi por rrugëtimi”- tha Tabaku.