Takimi Kurti-Vuçiç: “Guri rezervë”, presidenti Joe Biden

Ka nisur në Bruksel raundi i ri i bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Ky është takimi i parë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se “këto bisedime nuk do të jenë të lehta, por ky proces dhe angazhimi i sinqertë i të dyja palëve është i domosdoshëm për qytetarët e Kosovës dhe Serbisë”.

Kemi një moment të ri dhe duhet ta shfrytëzojmë atw. Ky është rast për tërë rajonin e jo vetëm për Kosovën dhe Serbinë, sepse këto raporte janë të rëndësishme për tërë rajonin. Për stabilitetin afatgjatë, përparimin ekonomik. Përpjekjet e tjera pa marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë do të jenë të rrezikuara”, tha Borell.

Në Bruksel do të jetë i pranishëm edhe presidenti i SHBA-së, Joe Biden, për të marrë pjesë në një samit ku mund të diskutohet edhe çështja e dialogut Kosovë-Serbi. Borrell mund t’i raportojë Bidenit për zhvillimet në takimin Kurti-Vuçiç. Zyrtarisht, BE-ja nuk e ka specifikuar këtë, por ka konfirmuar se në samitin me SHBA-në do të diskutohen disa tema. Borrell tha se mirëpret faktin se takimi po zhvillohet në të njëjtën kohë kur BE takohet me presidentin amerikan. .Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës të shpallur më 17 shkurt të vitit 2008, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Europian dhe është zotuar se nuk do ta njohë atë, duke kërkuar siç thuhet, një zgjidhje kompromisi, ndërsa Kosova e cilëson të panegociueshme pavarësinë e saj.

Diplomatët perëndimor janë vënë në përpjekje për të përshpejtuar procesin e bisedimeve me shpresë për një marrëveshje para vitit të ardhshëm kur Serbia mban zgjedhjet parlamentare e presidenciale, ç’ka mund të çonte në një pezullim të ri të procesit të filluar dhjetë vjet më parë nga të dyja vendet, që aspirojnë integrimet europiane.