Takimi Rusi-Ukrainë/ Presidenti Zelensky pesimist: Ta provojmë që qytetarët të mos dyshojnë tek unë

Presidenti ukrainas Volodimir Zelensky nuk ka pret që takimi mes delegacioneve të Rusisë dhe Ukrainës që do të mbahet të hënën në Bjellorusi, të sjellë një zgjidhje për vendin e tij. “Nuk besoj shumë në rezultatin e këtij takimi, por le ta provojmë. Në mënyrë që asnjë qytetar i Ukrainës të mos ketë dyshim se…

Presidenti ukrainas Volodimir Zelensky nuk ka pret që takimi mes delegacioneve të Rusisë dhe Ukrainës që do të mbahet të hënën në Bjellorusi, të sjellë një zgjidhje për vendin e tij.

Nuk besoj shumë në rezultatin e këtij takimi, por le ta provojmë. Në mënyrë që asnjë qytetar i Ukrainës të mos ketë dyshim se unë si president, nuk u përpoqa ta ndaloja luftën kur ekzistonte qoftë edhe një shans i vogël”, tha Zelensky, në një deklaratë për mediet.

Ai theksoi se së bashku me kabinetin e tij, ndodhet në Ukrainë dhe të gjithë do të mbrojnë deri në fund Ukrainën dhe kufijtë e saj.

Përmes një njoftimi në Telegram, zyra e presidentit Volodimir Zelenski njoftoi se të dyja palët do të takohen në një vend të paidentifikuar në kufirin bjellorus, ndërsa ora nuk është njoftuar.

Më herët, Rusia tha se delegacioni i saj u nis për në Bjellorusi në pritje të takimit. Ukraina këmbënguli që bisedimet të mos bëheshin në Bjellorusi, aty ku Rusia ka dërguar një numër të madh trupash para se të niste sulmin ndaj Ukrainës të enjten.

Zyra e presidentit Zelenski tha se presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, aleat i Putinit, ka rënë dakord që gjatë bisedimeve, mjetet e luftës të dërguara aty, nuk do të lëvizin.

Ndërkohë Putini urdhëroi sot forcat bërthamore ruse që të jenë në gatishmëri të nivelit të lartë, për shkak të “deklaratave agresive nga udhëheqësit e NATO-s dhe sanksioneve ekonomike kundër Moskës, siç tha ai.

Shtëpia e Bardhë reagoi duke theksuar se ky urdhër i Presidentit Putin është pjesë kërcënimeve të sajuara nga Moska për të justifikuar agresionin.

Rusia në asnjë moment nuk ka qenë nën kërcënimin e NATO-s, Rusia nuk ka qenë nën kërcënimin e Ukrainës”, tha një zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë.

Në ditën e katërt të pushtimit rus, në Ukrainë dëgjohen vazhdimisht bombardimet shkatërruese.
Gjatë natës, forcat ruse kishin targetuar disa depozita nafte dhe pika të tjera kyçe në Vasilikov të Kievit,

Menjëherë më pas qeveria ukrainase paralajmëroi se tymi nga shpërthimi mund të shkaktojë një “katastrofë mjedisore” dhe këshilloi njerëzit të ti mbajnë mbyllur dritaret e tyre.

Luftimet mes trupave rusë dhe atyre ukrainas vazhdojnë në rrugët e Kharkiv, qyteti i dytë më i madh i Ukrainës.