Të bësh mirë?…

Nga Evans Drishti

U ngrit që herët në mëngjes, siç duket ashtu ishte mësuar vazhdimisht dhe e kishte kthyer në një rregullator të përditshmërisë së vet. Rregulloi dhomën e tij duke nisur që nga shtrati, që për të natyrshëm dukej madhështor, sistemoi tavolinën e tij të punës duke vënë çdo mjet në vendin përkatës, përgatiti çantën me përkujdesje në mënyrë që mos të harronte asgjë që i duhej për të plotësuar tërë programin e ditës, rregulloi rrobat, të cilat i kishte pastruar që një natë më parë, madje edhe i kishte hekurosur, teksa u ul një kat më poshtë mori me vete edhe këpucët për të cilat tregonte një vëmëndje tejet të veçantë që të merrnin shkëlqimin e duhur. U pa më pas në pasqyrë si për t’i hedhur një vështrim të fundit tërë përgatitjes emocionuese.

Rrugës teksa ecte tregohej i kujdesshëm në sjellje dhe veprime duke treguar një maturi dhe një pjekuri edhe në respektimin e rregullave të qarkullimit. S’qëllonte kurrë të hidhte rrugës apo edhe në ndonjë lulishte copa letre të vogla apo edhe ndonjë mbeturinë. Ecte plot delikatesë sikur donte të mos peshonte rëndë as me hapat e tij të përkujdesur. Teksa mbërriti në oborrin e shkollës s’e kursente buzëqeshjen për askënd, pasi dashamirësia dhe shpirti i dlirë reflektonte kudo dhe kurdoherë.

Shfaqte një interesim të dukshëm ndaj çdo lënde mësimore, madje si të mos mjaftohej me kaq, kërkonte me ngulm të zgjeronte njohuritë e veta edhe në fusha të tjera sociale dhe kulturore. Që në vegjëli e kishte mbërthyer një ambicie dhe një ego për të kërkuar çdo ditë e më tepër diçka më shumë. Ndjente një respekt dhe një mirënjohje jo vetëm për mësimdhënësit, por për çdokënd që i ofronte qoftë edhe një mundësi të vogël që ta zhvillonte dhe ta çonte një hap më tutje. Shfaqej përherë sa i heshtur aq edhe këmbëngulës në sfidat e të mësuarit dhe padyshim edhe në të lexuar. Ishte shumë punëtor dhe shfaqte një pozitivitet të dukshëm sigurisht edhe të admirueshëm. S’dinte se ç’ishin thashethemet, por edhe sikur ta dinte s’kishte kohë të merrej me të tilla gjëra, pasi vetes i kishte vënë një qëllim sublim; të bëhej një individ model. Dhe kjo kishte nisur që herët, që në hapat e parë të formimit të karakterit të tij, aq të fortë dhe rigoroz, e të patjetërsueshëm.

Leximi i librave të shumtë i kishte siguruar tashmë prej shumë kohësh, një lloj sigurie dhe padyshim pjekuri dhe maturi edhe në konceptimet e shumë ndodhive të realitetit, pasi interesimi për dijen dhe kulturën, me ç’dukej ishte edhe diçka gjenetike, e megjithatë s’ngopej aspak nga kjo anë, pasi kishte krijuar bindjen e plotë se nëse kërkon të ecësh me hapa të sigurtë atëherë është vetvetja që ta siguron një gjë të tillë sipas ambicies dhe qëllimeve që i vë vetes pafundësisht.

Pëlqente së tepërmi bukurinë natyrore, për të cilën shpeshherë qante hall me vete apo edhe të tjerë se ç’mund të kontribuonte në zhvillimin e kësaj bote misterioze. Për këtë nevojiteshin edhe zhvillimi i pasioneve dhe hobeve të larmishme që do ta bënin atë të socializuar jo vetëm me shpirtin e tij, por edhe me çdo gjë që e rrethonte. Prandaj e kërkonte edhe dijen e vërtetë dhe të saktë, atë dije që do ta ngriste padyshim në nivele të larta. Për këtë tregohej shumë i duruar dhe mirëkuptues, teksa toleranca peshonte së tepërmi edhe në natyrën e tij….

Mbetet përherë një shprehje e dëgjuar ajo që kërkon të pohosh kur thua “Të bësh mirë…” që në thelbin e shoqërisë, pra brënda në familje, e duke vijuar në shkollë, në shoqëri e kudotjetër.

E keni menduar vallë se ç’kuptim mbart kjo frazë dhe si duhet vënë në zbatim?

Kështu:

Respekti ndaj tjetrit
Toleranca
Ndjeshmëria ndaj natyrës
Zotërimi i hobeve
Ndërgjegjësimi për përgjegjësitë
Të qenurit dyshues dhe kërkues
Dija e saktë dhe e drejtë
Përshtatja ndaj rregullave shoqërore
Respektimi i rregullave të mirësjelljes
Të qenurit i drejtë dhe i rregullt
Të qenurit i duruar
Socializimi
T’u japësh rëndësi vlerave të familjes dhe të shoqërisë
Leximi
Të qenurit punëtor
Të thuash “Jo!” aty ku duhet.
Komunikimi me njerëzit
Pozitiviteti
Qëndrimi larg thashethemeve (në shkollë apo edhe në shoqëri)
Të qenurit model
Modestia dhe ambicia
Interesimi për dijen dhe kulturën
Të respektosh sakrificën e tjetrit
Të tregohesh i kujdesshëm në konsum
Të dish të ruash karakterin tënd
Të jetosh jo si të tjerët, por siç je vetë.

Këto mund të jenë vetëm disa nga sjelljet dhe veprimet që na mundësojnë të kuptojmë se ç’përfshin në vetvete “Të bësh mirë!…”
Të bësh mirë kërkon pikësëpari respektin ndaj vetes e më pas edhe ndaj tjetrit apo tjerëve. Përsa kohë që gëzon një respekt mbi bazën e reciprocitetit atëherë ke çuar në vend një sjellje të mirë. Kështu nxënësi respekton mësimdhënësin dhe anasjelltas, prindi respekton fëmijën e vet dhe anasjelltas, doktori respekton pacientin e vet dhe anasjelltas …
Të bësh mirë kërkon të tolerosh në mirëkuptimin dhe përmirësimin e një realiteti që në disa raste mund të sjell lëndime shpirtërore, por në emër të vlerave njerëzore sjell dashamirësinë. Kështu të rinjtë e kanë për detyrë të jenë më të tolerueshëm në raste zënkash të vogla, prindërit e kanë për detyrë të tregohen të tolerueshëm në raste të lojërave të fëmijëve…
Të bësh mirë sjell ndjeshmërinë ndaj natyrës që na rrethon me madhështinë e saj kudo të jemi. Natyra na kërkon vemendje dhe përkujdesje në mirëmbajtje dhe zhvillim që të na reflektojë butësinë dhe aromat e këndshme në shpirtin tonë. Nëse një grup të rinjsh mobilizohen në mbjelljen e pemëve të ndryshme kjo do të rriste gjelbërimin dhe për rrjedhojë ndërgjegjësimi do vinte natyrshëm…
Të bësh mirë sjell edhe gjykimin e mirë bazuar në dijen e saktë dhe të vlefshme. Kërkimi i diturisë është obligim për të gjithë ne. S’mjafton të jesh thjesht një nxënës i mirë, përkundrazi koha kërkon të dalësh përtej kapërtinës së librit… Një prind i mirë është ai që ulet dhe lexon bashkë me fëminë e vet duke dhënë orientime të duhura dhe të sakta…
Të bësh mirë kërkon të jesh i socializuar në shoqërinë ku jeton, kërkon të jetosh i paqtë duke respektuar rregullat që parashtrojnë orientime të duhura. Të bësh mirë kërkon të vësh drejtësi në çdo hap tëndin. Mendoni për një çast sikur të heshtni përpara një padrejtësie që ju bëhet, si do e ndjenit veten? Kur drejtuesi ju mohon punën dhe angazhimin tuaj, kur polici ju vë një gjobë të pamerituar, kur farmacisti ju jep një ilaç tjetër për tjetër…
Të bësh mirë kërkon të sillesh i durueshëm ndaj tjetrit, ndaj fëmijës, ndaj burrit, ndaj gruas, ndaj prindërve, ndaj komshiut, ndaj mikut apo mikeshës, ndaj më të madhit apo të voglit …Kërkon të vlerësosh dhe të pranosh si të pazëvendësueshëm thelbin dhe bërthamën e shoqërisë, familjen me të gjitha obligimet që të ofron. Si mendon të qëndrosh indiferent ndaj punëve dhe angazhimeve që ofron familja? Si mendon të reagosh ndaj një grupi fëmijësh që luajnë në një cep të rrugës, ndërkohë që ti je duke u impenjuar me diçka dhe mendon se të shqetësojnë? Pak durim!
Të bësh mirë kërkon si domosdoshmëri të merresh me leximin e një libri, reviste, gazete, kronike,m opinioni… Kërkon të lexosh dhe për rrjedhojë të kuptosh ndodhinë e kohës me të gjitha misteret… Mos harro! Bota e librit është bota jote, është bota e secilit prej nesh!…
Të bësh mirë të vë përpara përgjegjësisë të shfaqësh modelin më të mirë tëndin larg veseve dhe karakteristikave që shtrembërojnë natyrën njerëzore… Qëndro sa më larg bixhozit, kumarës, alkoolit …
Të bësh mirë kërkon të kuptosh mundin dhe sakrificën e prindit, mësuesit, motrës apo vëllait, mjekut, infermierit, të punonjësit që të shërben në fusha të ndryshme të jetës, kërkon gjithashtu edhe të besosh se tjetri vërtet mbart një shpirt sakrifikues për ty dhe shoqërinë ku jeton. Vlerësoje shpjegimin dhe angazhimin e mësuesit tënd se e ke për detyrë! Vlerësoje impenjimin e prindit tënd se e ke për detyrë!…
Të bësh mirë kërkon domosdoshmërisht të dish të ruash natyrën dhe karakterin tënd duke mos u tjetërsuar për hir të interesave të çastit apo edhe të kohësh… Kërkon të qëndrosh i palëkundshëm dhe i vendosur në bindjen tënde, në paraqitjen tënde duke kërkuar gjithnjë të plotësohesh dhe të zhvillohesh për një performancë gjithnjë e në rritje… Mos u tjetërso se ta kërkon drejtori, por tregohu vigjilent ashtu siç je! Mos e ndrysho natyrën pse ta kërkon shoqëria, por tregohu sypatrembur dhe inteligjent! Mos e ndrysho bindjen tënde politike, sociale, kulturore apo fetare sipas interesave të vogla apo të çastit, por mobilizohu dhe dëshmoje veten se je njeri punëtor dhe me cilësi njerëzore dhe se besimi yt të mban të fortë dhe të paevitueshëm!…
Parë në këtë kontekst, sa e gjejmë veten të përfshirë brënda këtij pohimi kaq jetik?! Kush na orienton për të kuptuar të gjitha këto? Sa aftësi mbartim në konceptimin e saktë të secilës prej sjelljeve dhe veprimeve që na çojnë drejt “të bërit mirë”?
Si përherë filizat e parë hidhen pikërisht në familje mbi bazën e një komunikimi të shëndetshëm ku prindi e ka për obligim të zbresë në natyrën e fëmijës dhe për këtë janë pikërisht prindërit që duhet të jenë të lexuar dhe të ushqejnë leximin për të rritur dhe zhvilluar tek fëmijët një botëkuptim të qenësishëm në këtë drejtim.
Duke qenë se njeriu edukohet dhe arsimohet në institucionin arsimor janë pikërisht mësimdhënësit dhe drejtuesit ata që padiskutim ofrojnë modelin e duhur, ku të kërkohet dija e saktë në ndërtimin e një karakteri dhe natyre të shëndetshme.
Nga ana tjetër, me njerëz të mirë dhe të arsimuar ndërtohet edhe një shoqëri e mirë dhe e plotësuar, por vetëm atëherë kur drejtuesit e një shteti krijojnë hapësirat e mundshme dhe të nevojshme për një familjarizim të shoqërisë mbi bazën e vlerave njerëzore dhe tradicionale.
Të bësh mirë?… Është në dorën tënde!…