Të biesh dëshmor duke bërë pushime!

Nga Redi Shehu

Gjatë verës, fluks i papërmbajtur njerëzish e mjetesh lëvrijnë në të katër anët e vendit thjesht duke shumëfishuar prezencën dhe në të njëjtën kohë edhe problemet. Pjesë e rëndësishme e këtij fluksi janë emigrantët shqiptarë të cilët i kthehen mëmëdheut në formën e një çmalljeje turistike, një takim me vendlindjen në format argëtimi, një kthim në mëmëdhe me look tashmë të depiluar, një parafabrikim i projeksionit të së ardhmes në një realitet kontrovers si ky i yni.

Përveçse për vite me radhë të qënurit emigrant për ekonominë shqiptare ka pasur një domethënie të shkëlqyeshme ekonomike si pasojë e remitancave që luanin rolin e një “salvagente” financiare për buxhetin e shtetit, kategorizimi si i tillë shoqërisht ka hapur një perspektivë punësimi të atyre mijëra shqiptarëve, të cilët të drejtën për të qenë të lirë e patën blerë me çmimin e jetës. Ndaj, edhe kthimin e tyre në tokën e origjinës, secili prej nesh e mirëpret si një e drejtë e patjetërsueshme shoqëruar edhe me atë shpresë që ajo eksperiencë e tyre e fituar në shoqëritë e standartizuara dhe të kopsitura ligjërisht, të mund të reflektojnë sado pak në shoqërinë tonë e cila endet kahjesh pa destinacion dhe ide të qarta.

Por, ajo që vërehet që me zbarkimin e tyre në pikat doganore, është mbartja që ato i bëjnë civilizimeve ku ato jetojnë vetëm në formatin “lustër plot shkëlqim”. Makina luksoze, veshje firmato, xhestikulacione tipike të lokaliteteve ku jetojne, imazh e kolorit, dhe çdo gjë e cila bën të mendosh që vizualisht përballesh me mënyrën evropiane të jetës. Por, fatkeqësisht në shumë rate vetëm kaq. Prezenca në tokën shqiptare, thënë ndryshe parajsa e shkeljes së ligjit, bën që kjo ushtri njerëzish që nën tutelën e ligjit evropian nuk gabojnë kurrë koshin e mbeturinave, në mëmëdheun e dashur e të shtrenjë edukata u fiton veti avulluese dhe papritmas gjithë ajo frymë standartizimi e rregulli shndërrohet në kaos, radha e mbeturina pa fund që në pikat kufitare hyrëse. Metamorfoza që pëson shqiptari, i cili jeton jashtë vendit, në momentin e hyrjes në tokën shqiptare vetëm në pak kohë është çuditërisht e habitshme e cila tregon se bazamenti kulturor dhe edukata shoqërore së cilës ai i qëndron në emigracion, nuk ka zënë vend bindshëm në botëkuptimin individual.

Treguesi më i zakonshëm dhe njëkohësisht më i trishtë i cili shoqëron ardhjen e emigrantëve shqiptarë në mëmëdhe, është statistika e aksidenteve rrugore të cilat gjatë kësaj periudhe marrin formën e një bilanci të vendeve me konflikte civile. Në më të shumtën e rasteve ndryshueshmëria e realitetit me të cilën ato përballen shkakton ngjarje tragjike të cilat rëndojnë ndjeshëm bilancin e viktimave dhe të të plagosurve gjatë kësaj periudhe vere. E përpjestuar në shifra mujore mund të kalojë edhe bilancin e viktimave në Irak apo Afganistan. Ndryshimi me këto zona është se në Shqipëri mund të biesh dëshmor duke kërkuar të bësh pushime.

Praktikisht në periudhën e verës numri i automjeteve shtohet me rreth 150.000 syresh duke rritur tej mase probabilitein e “fërkimeve” në rrugët tona. Infrastruktura rrugore e cila në hapat e veta përmirësuese ngel gjithmonë mbrapa proporcionalisht me fluksin e automjeteve hyrëse, i gjan një tubi gjithmonë e të ngushtë me presion të fortë lëvizës. Shtuar kësaj, faktin që sinjalistika rrugore në ratet kur ajo gjendet, vendoset në pozicione “kukamshefti” me shoferët duke e bërë orientimin një sipërmarrje të vështirë ose të pamundur. Në vendet e standartizuara një tabelë rrugore apo sinjalistika është tejet e bezdisshme sepse në mënyrë të përsëritur përballet me shikimin duke e bërë thuajse të pamundur gabimin në ecje. Tek ne, gjetja e një tabele shpesh kthehet në gjëagjëzë dhe jo vetëm kaq por absurditeti i shpejtësive të vendosura në to e bën akoma më kaotike lëvizjen.

Ky problem ka edhe anën tjetër të medaljes e cila është përgjegjësia apo shpesh edhe papërgjegjshmëria e emigrantëve vetë në lidhje me situatën në të cilën ato ndodhen. Në fakt, papërgjegjshmëria në raport me veten por sidomos në raport me të tjerët, është karakteristikë e jona si shqiptar e cila shoqëruar me disa doza të tjera kapardisjeje, shpejtësie marramendëse dhe alkooli, kur bashkohen me problematikën infrastrukturore shkaktojnë atë bilanc lufte i cili i bën pushimet të kthehen në mort.

Tjetër problem i madh është një fakt të cilin ne të gjithë e dimë por shpesh nuk e përmendim. Marrja e patentave me lekë, apo thënë ndryshe, blerja e tyre pa bërë kursin dhe pa u trajnuar me rrugët shqiptare. Kjo bën që ato shqiptarë të cilët marrin patenta të tilla, në ditë normale të vitit të hasen me vështirësi të kontrollit të automjetit. Kur rrugët tona përmbyten nga fluksi i makinave të emigrantëve, atëhere këta “shoferë” ndodhen në vështirësi akoma më të mëdha në menaxhimin e lëvizjes duke u bërë shkak, si pasojë e injorancës së tyre, të aksidenteve ndaj vetes apo edhe të tjerëve.

Ajo që kërkohet është rritja e gamës së përgjegjshmërisë së individit në hapësirat publike. Nuk flasim këtu për përgjegjësitë që ka shteti në garantimin e infrastrukturës e cila do ta lehtësonte lëvizjen, pasi kjo është një çështje midis të tjerash edhe kapacitetesh financiare, por ndërkohë, përgjegjshmëria e levizjes në rrugët tona duhet të jetë e një shkalle më të lartë për të parandaluar faktin e trishtë që largohen më pak emigrantë se sa vijnë.