Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve:
– Akil Alushi banues në Tiranë, i dënuar për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotike”;
– Morel Kertalli, banues në Durrës, nën hetim për veprën penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”;
– Enkel Kertalli, banues në Durrës, nën hetim për veprën penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”;
– Ilir Oshafi banues në Durrës, i dënuar në Itali me vendim të njohur nga Gjykata e Durrësit, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim;
-Gentian Malindi banues në Durrës, nën hetim për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve” dhe ‘Grupi i strukturuar kriminal”.
Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.
OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special.
OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.



