Të gjitha llojet e pensioneve rriten me 3,3%

Qeveria do të rrisë pensionet me 3,3%, do të zgjasë moratoriumin e gjuetisë, si dhe do të miratojë zyrtarisht 2 konventa të Këshillit të Evropës.

Këto janë disa nga vendimet që u bënë publike sot pas mbledhjes së qeverisë.

Ministrja e Ekonomisë Delina Ibrahimaj tha se pensionet do të rriten me 3,3%, për arsye të rritjes së çmimeve.

Nga kjo rritje do të përfitojnë të gjitha llojet e pensioneve, “të plota, të reduktuara, të invaliditetit”.

Ministrja e Turizmit Mirela Kumbaro deklaroi se do të zgjatet moratoriumi i gjuetisë, për shkak se ka sjellë rezultate pozitive në shtimin e popullatës së faunës.

Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, bëri me dije se Shqipëria do të miratojë 2 konventa të reja të Këshillit të Evropës, njëra prej të cilave synon të forcojë mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve.