Teknologjia 5G në Shqipëri – AKEP shpall tenderin për studimin e sigurisë teknike

Tenderi i shpallur në APP do të qëndrojë i hapur deri më 5 mars dhe studimi pritet të ekzekutohet brenda një afati 8 mujor, që nga nënshkrimi i kontratës me subjektin fitues.

AKEP ka shpallur një tender me fond 28.6 milionë lekë për studimin dhe analizën e teknologjive të reja telefonike në Shqipëri. Konkretisht bëhet fjalë për përgatitjen e një plani të plotë për përgatitjen e operatorëve vendas për 5G, duke filluar nga viti 2022.

Studimi, sipas dokumentacionit bashkangjitur tenderit, do të vlerësojë aspektet teknike dhe të sigurisë, qëndrimet e operatorëve, si dhe çfarë duhet bërë dhe masat që duhen ndërmarrë.

“Bashkimi Europian arsyeton se 5G do të ketë një ndikim të madh jo vetëm në sektorin dixhital, por në ekonominë në tërësi. Sidomos përkundër sfondit të vendosjes së ngadaltë të 4G dhe shërbimeve përkatëse, nisja e suksesshme e 5G në BE konsiderohet si vendimtare për zhvillimin ekonomik dhe për konkurrencën dhe produktivitetin e ekonomisë. Prandaj, BE duhet të marrë rol udhëheqës duke siguruar spektër të mjaftueshëm për nisjen dhe zhvillimin e suksesshëm të 5G.  Përveç kësaj, kur autorizon përdorimin e brezit të frekuencave 5G, vendet anëtare duhet të marrin parasysh mundësinë për të siguruar që operatorët janë në gjendje të rrisin mbulimin e tyre gjeografik” shpjegohet më tej në dokumentacionin e tenderit të shpallur në Agjencinë e Prokurimit Publik.

Projekti i AKEP, sipas të dhënave, synon të adresojë 6 çështjet e mëposhtme:

Çfarë efekti shumëzues do të fitojë Shqipëria nga throuhtput-i i  5G

Sa shpejt dhe thjeshtë do të jetë në gjendje të vendoset shërbimi?

Sa pajisje te lidhura mund të shtohen në rrjetin e Shqipërisë, dhe parimi “sill pajisjen tuaj” të bëhet realitet ?

Çfarë shumëfishi i të dhënave në rrjet mund të arrihet?

Çfarë % e zvogëlimit të vonesës do të arrihet?

Çfarë marrëveshjesh të nivelit të shërbimit mund të mbajë Shqipëria me këtë rrjet të ri 5G?

Tenderi i shpallur në APP do të qëndrojë i hapur deri më 5 mars dhe studimi pritet të ekzekutohet brenda një afati 8 mujor, që nga nënshkrimi i kontratës me subjektin fitues. /scan