Teknologjia 5G në Shqipëri do të marrë më shumë kohë sesa ishte parashikuar

Autoritetetet shqiptare duket se kanë hequr dorë nga një implementim i shpejtë i teknologjisë 5G.

Në fillim të vitit të kaluar, AKEP kishte parashikuar që brezat e parë të frekuencave për këtë teknologji do të tenderoheshin që në vitin 2020.

Por, kjo nuk bë dhe këtë vit në raportimin e vet për Kuvendin e Shqipërisë AKEP nuk përcakton më afate për këtë proces. Qasja ka ndryshuar dhe para implementimit të teknologjisë 5G do të bëhet një studim për të gjitha çështjet që shtron teknologjia e re, përfshi ato të sigurisë.

Burimet nga AKEP bëjnë të ditur se në fillim të këtij viti ka hapur procedurat për kontraktimin e një konsulenti të huaj, që do të përgatisë një analizë të hollësishme dhe gjithëpërfshirëse për aspektet e zhvillimit të qëndrueshëm në kuadër të implementimit të teknologjisë së gjeneratës së re në Shqipëri, duke përcaktuar hapat strategjikë dhe duke dalë në përfundime për vendimmarrje të mëtejshme në nivel sektorial. Sipas AKEP, situata dhe zhvillimet e teknologjisë së gjeneratës së re në vendet e rajonit dhe vendet e BE, është e tillë që zgjidhjet janë të larmishme dhe të aplikuara në varësi të kushteve specifike të shteteve të ndryshme, duke marrë në konsideratë zhvillimet teknologjike, kushtet e tregut celular, nevojën për përfitim maksimal shtetëror dhe shoqëror.

Përmbushja e këtij procesi do të kërkojë një kohë relativisht të gjatë, që nga dhënia e ekspertizës nga konsulenti, vendimmarrja e AKEP rreth saj, konsultimi i gjetjeve dhe propozimeve me palët e interesuara për të arritur në fund në hapjen e garës për dhënien në përdorim të frekuencave. Duke pasur parasysh kohën e nevojshme për të gjitha etapat e mësipërme, nuk ka të ngjarë që procesi i zbatimit të teknologjisë 5G të nisë këtë vit. Burime nga tregu shprehen se gjasat janë që ky proces të fillojë pas mesit të vitit të ardhshëm. Vendimi për të ndjekur një qasje më të matur ndaj teknologjisë 5G lidhet sa me sfidat teknologjike dhe të sigurisë, por pjesërisht edhe me arsye ekonomike.

Jo të gjithë operatorët janë entuziastë për një tenderim të shpejtë të brezave për frekuencat 5G. Në vitet e fundit, fitimet e tregut kanë rënë ndjeshëm, duke prekur edhe kapacitetet investuese të operatorëve. Sidomos operatori i dytë dhe i tretë më i madh, e mirëpresin një shtyrje të procesit, sepse ende nuk janë të prirur të paguajnë përsëri për frekuenca të reja, për më tepër që Shqipëria ende nuk shfrytëzuar plotësisht potencialet e teknologjisë 4G. Gjenerata 5G është kufiri i ri teknologjik i komunikimeve të lëvizshme, që pritet të sjellë shpejtësi interneti shumë të larta se ato që ekzistuese. Vlerësohet se në teori rrjetet 5G mund të ofrojnë shpejtësi maksimale interneti që tejkalojnë kufirin e 10 Gbps ose 10 herë më të larta krahasuar me versionet më të avancuara të teknologjisë 4G. Pavarësisht se të dhënat zyrtare pretendojnë një mbulim prej 96% të popullsisë me rrjete 4G, ky mbulim ndryshon shumë mes operatorëve të ndryshëm, madje shpesh edhe në qendrat më të mëdha urbane cilësia e shërbimit lë shumë për të dëshiruar. Implementimi i teknologjisë 5G ndoshta mund ta thellojë avantazhin e operatorëve që kanë një fuqi më të madhe tregu dhe më shumë mundësi për të investuar në frekuenca dhe në infrastrukturë rrjeti.

BB: Për Shqipërinë 4G është më e leverdishme për mbulim 100% me internet

Për Shqipërinë, teknologjia 4G mund të jetë një zgjidhje më eficiente për mbulimin e plotë të popullsisë me internet broadband krahasuar me teknologjinë 5G. Ekspertë të Bankës Botërore kanë përgatitur një studim që vlerëson kostot e mbulimit universal me internet me brez të gjerë, në varësi të teknologjisë së përdorur. Studimi arrin në përfundimin se, për vendet si Shqipëria, që kanë tashmë një mbulim të lartë të popullsisë me rrjete 4G, mbulimi universal duke përdorur këtë teknologji do të ishte më i leverdisshëm. Mbështetur në të dhënat e AKEP, të përdorura në studim, Shqipëria ka një mbulim të popullsisë me rrjet 4G në nivelin 96%.

Kostot janë llogaritur mbi disa skenarë, që marrin në konsideratë zgjidhje të ndryshme teknike dhe nivele të ndryshme të shpejtësisë së synuar të rrjeteve. Në skenarin optimal, sipas të cilit synohet një shpejtësi 400 megabit për sekondë (Mbps) në zonat urbane me dendësi të lartë, ekipi i BB përllogarit se për Shqipërinë duhet një investim mes 250 dhe 340 milionë dollarë për mbulim universal me rrjet 4G. Investimi prej 250 milionë dollarësh i referohet skenarit kur rrjeti ndërtohet vetëm mbi infrastrukturë të lëvizshme, ndërsa kostot mund të arrijnë deri në 340 milionë dollar nëse ky rrjet mbështetet nga një infrastrukturë fibre optike. Në rastin e teknologjisë 5G, mbulimi universal me internet do të kërkonte një investim prej të paktën 320 milionë dollarë për një infrastrukturë ekskluzivisht të lëvizshme, por do të arrinte deri në 710 milionë dollarë në rast se përdoret mbështetja me fibër optike.

Vlerat e investimeve janë më të ulëta në rast të skenarëve që parashikojnë shpejtësi rrjeti më të ulët. Por, duhet thënë se skenari optimal i mësipërm është i vetmi që plotëson objektivat e përcaktuara nga Komisioni për Internetin me Brez të Gjerë i Kombeve të Bashkuara, që përcakton një shpejtësi prej të paktën 10 Mbps në zonat rurale.

Edhe për skenarët që parashikojnë një shpejtësi më të ulët, sidoqoftë, teknologjia 4G është më e leverdishme, madje në këto skenarë avantazhi në kosto i 4G është shumë më i thellë.

Megjithatë, teknologjia 5G mund të bëhet e leverdisshme në një skenar kur operatorët do të ndërtonin një infrastrukturë rrjeti të përbashkët, në vend që të ngrinin secili rrjetin e vet në mënyrë të pavarur. Shkalla e kursimit do të varej nga niveli i përdorimit të përbashkët të infrastrukturës dhe kostot e investimit mund të uleshin deri në 70%, nëse operatorët do të përdornin rrjete plotësisht të përbashkët në zonat rurale. Një zgjidhje e tillë do të ulte ndjeshëm kostot e investimit, por, sipas ekspertëve, mund të sillte ndikime negative afatgjata për sa i takon konkurrencës. Ulja e trysnive konkurruese mund të krijojë rënie graduale të eficiencës, duke bërë që përfitimet ekonomike në kohë të bien gradualisht. Duke marrë në analizë disa vende në zhvillim dhe me të ardhura të mesme, studimi arrin në përfundimin se teknologjia 5G mund të ketë avantazhe ekonomike për mbulimin universal me internet vetëm për ato shtete ku mbulimi me rrjete 4G i popullsisë është në nivele të ulëta.

Brezi 700 Mhz lirohet vitin e ardhshëm

Një çështje tjetër e lidhur me teknologjinë 5G është edhe lirimi i brezit kryesor të frekuencave që do të përdoret për këtë qëllim. Këshilli i Ministrave miratoi në fillim të këtij viti Planin e Ri Kombëtar të Frekuencave, që përcakton se brezi 694-790 MHz, do të kalojë përfundimisht nën administrimin e Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) duke filluar nga 30 qershori 2022. Brezi 700MHz aktualisht është në përdorim nga operatorët e transmetimeve audiovizive, që duhet t’i lirojnë frekuencat brenda mesit të vitit të ardhshëm. Pasi frekuencat të kalojnë nën administrimin e AKEP, ato do të mund të tenderohen për ofrimin e shërbimeve 5G nga operatorët celularë. Shtrirja në brezin 700MHz pritet të jetë hallka më e rëndësishme drejt shtrirjes së teknologjisë 5G, në kuptimin e administrimit të spektrit. Teknikisht, ky brez ofron mbulimin me rrjet të zonave më të gjera, çka është themeli për konceptin e Internetit të Gjërave (Internet of Things). Bazuar në Vendimin e Parlamentit Europian të datës 17 maj 2017, vendet anëtare të BE duhet të lejojnë përdorimin e këtij brezi për ofrimin e shërbimeve broadband të komunikimeve elektronik broadband të lëvizshme.

Ato mund të vonojnë lejimin e përdorimit të brezit të frekuencave 700MHz deri në dy vjet në bazë të arsyeve të justifikuara. Si vend kandidat për anëtarësim, Shqipëria ka shfrytëzuar të gjithë hapësirën dyvjeçare të lënë në vendimin e PE, si afat të fundit për kalimin e këtij brezi në përdorim të operatorëve të komunikimeve elektronike. Mbulimi optimal me rrjetet e lëvizshme të internetit me brez të gjerë për Shqipërinë është i rëndësishëm, edhe për shkak se vendi ynë është ndër më të prapambeturit në Europë në mbulimin me rrjete fikse. Edhe për këtë arsye, interneti nga rrjetet e lëvizshme është një alternativë e dosmosdoshme për banorët e zonave periferike dhe rurale, tashmë që një pjesë e madhe e shërbimeve të ofruara nga sektori publik dhe ai privat po zhvendosen gjithnjë e më shumë online.

/Monitor

Lajme të ngjashme
Lini një Koment

Adresa juaj e e-mail-it mbahet e fshehur.