Teologu nga Shkupi, Baki: Ajasofja është mbretëresha e xhamive të Ballkanit

Teologët e xhamive të Dyqanxhikut dhe Murat Pashës në Shkup të Maqedonisë së Veriut, e cilësuan si hap të duhur rihapjen e Xhamisë Ajasofja për faljen e namazit

Hapja e Xhamisë Ajasofja për faljen e namazit është një burim gëzimi për të gjithë muslimanët në botë, veçanërisht në Ballkan, ndërsa muslimanët me emocione presin namazin e parë që do të falet më 24 korrik, të premten.

Teologët e xhamive të Dyqanxhikut dhe Murat Pashës në Shkup të Maqedonisë së Veriut, për Anadolu Agency (AA) vlerësuan rihapjen e Ajasofjes si xhami.

Imami dhe predikuesi i Xhamisë Murat Pasha, Süleyman Baki, tha se vendimi për rikthimin e Xhamisë Ajasofja në origjinale, e cila është një ndër faltoret e rëndësishme të botës islame dhe gjithë muslimanëve, është një vendim historik.

Ai rikujtoi se Ajasofja është regjistruar në vakëf nga Sulltan Mehmet Fatihu pas çlirimit të Stambollit dhe shndërruar në xhami, duke shtuar se xhamia është bërë një qendër me shekuj ku është kryer falja e namazit.

Baki vuri në dukje se rihapja e Ajasofjes pas një kohe të gjatë është shprehje e kujdesit ndaj amanetit që ua ka lënë Sulltan Mehmet Fatihu.

“Si muslimanë që jetojmë në Balkan, Stambolli në aspektin politik, historik, kulturor, në çdo aspekt, ashtu edhe osmanët dhe Republika e Turqisë, është pothuajse drejtimi ynë. Natyrisht që Qabja është drejtimi ynë, por Stambolli në këtë aspekt është veshi, syri, shpirti ynë”, u shpreh ai.

Ai gjithashtu rikujton vitet kur ka qenë student në Turqi bashkë me shokët e tij Adnan Idriz, Abdulkerim Ebibi dhe studentë të tjerë, se si kanë marrë pjesë në mitingjet e organizuara nga i ndjeri kryetari i Partisë Refah, Necmettin Erbakan, dhe presidentit i sotëm i Turqisë Recep Tayyip Erdoğan, për hapjen e Ajasofjes me sloganin “Le të thyen zinxhirët, le të hapet Ajasofja”.

Baki më tutje tregon se tema e Ajasofjes gjithmonë ka qenë pjesë e jetës së tyre në çdo mbledhje, qoftë familjare e qoftë mes miqve.

Ai gjithashtu shpjegon një kujtim në lidhje me Ajasofjen:

“Teksa punoja për temën time të masterit, më tërhoqi vëmendjen një çështje. Ismail Hakki Efendiu nga Manastiri ka 20 vepra. Gati në çdo vepër të tij shkruan kështu: ‘Ismail Hakki Efendiu nga Manastiri dhe një shënim posht, Predikuesi i Xhamisë Ajasofja’. Kjo ishte një motivim për mua gjatë punimit. Domethënë, Ismail Hakki Efendiu nga Manastiri, një qytet në atdheun tim. Ka jetuar deri në moshën 17-vjeçare në Manastir. Një pjesë të edukimit shkencor e ka kryer këtu, më pas në Stamboll është bërë pjesë e asaj që quhet Ulema-i Sitte, pra, një nga gjashtë dijetarët e fundit të shteti osman. Ishte një fakt i rëndësishëm. Nga Manastiri dhe Ajasofja. Prandaj, kjo xhami për ne është e rëndësishme. Çka është Xhamia Mustafa Pasha në Shkup, Murat Pasha, Jahja Pasha, Isa Beu, Xhamia Allaxha, Sulltan Murati, Prizreni, Manastiri, Sarajeva, Beogradi, xhamitë në këto vende, mbretëresha e këtyre është Ajasofja”.

Sipas tij Ajasofja nuk është vetëm trashëgimia e muslimanëve, por e gjithë njerëzimit.

“Nga ky vendim, muslimanët në Rumeli, në Ballkan me shumicë, përveç tradhëtarëve, ndiejnë lumturi”, tha ai, duke theksuar se të gjithë duhet të respektojnë vendimin e Republikës së Turqisë si një shtet i pavarur dhe sovran.

“Rihapja e Ajasofjes si xhami për faljen e namazit do t’i shpërndajë retë e zeza nga umeti islam”

Nga ana tjetër, imami i Xhamisë Dyqanxhik, Abdulkerim Ebibi, tha se rihapja e Ajasofjes si xhami është një ngjarje shumë e rëndësishme për umetin islam.

Duke rikujtuar dokumentin e vakëfit të Sulltan Mehmet Fatihut mbi Ajasofjen, ai tha se me vendimin e presidentit Erdoğan është thyer mallkimi mbi umetin islam, ndërsa falënderoi kryeministrat e ndjerë të Turqisë dhe presidentin Erdoğan që kanë dhënë mund në këtë rrugëtim.

Ai gjithashtu falënderoi edhe mësuesin e tij të matematikës Ismail Kandemir, i cili 25 vite ka bërë përpjekje juridike në këtë drejtim.

Ebibi më tej theksoi se muslimanët duhet të shpëtohen nga komplekset e tyre.

“Duhet të jemi të guximshëm, të marrim vendime të guximshme. Një nga vendimet e guximshme është ky. Jam i sigurt që rihapja e Ajasofjes si xhami për faljen e namazit do t’i shpërndajë retë e zeza nga umeti islam, do të thyhen një nga prangat më të mëdha të vendosura ndaj muslimanëve. Umeti islam ka nevojë për një feth (çlirim). Hapa të gëzuara, lumtura dhe që do ta inkurajojnë. Kjo nuk është një çështje vetëm në interes të turqve, muslimanëve të Ballkanit, por është një çështje që prek të umetin islam, prandaj ishte një vendim shumë i mirë, shumë i rëndësishëm” theksoi ai.

Ai gjithashtu u shpreh se në përgjithësi, kjo ngjarje ka hasur në reagime pozitive në botën islame, ndërsa në lidhje me dyshimin e teologëve nga Evropa se ndaj tyre mund të shfaqen qëndrime negative nga bota perëndimore krishtere, tha se nuk ka kuptim për t’u shqetësuar.

Imami i Xhamisë Dyqanxhik potencoi se në asnjë periudhë të historisë muslimanët nuk i kanë persekutuar jomuslimanët, duke shtuar se në historinë e afërm, në luftën në Bosnjë dhe Hercegovinë, qindra xhami janë rrënuar, ndërsa janë masakruar mijëra muslimanë.